Ish-presidenti kubanez, Raul Castro, është vënë në qendër të presionit amerikan pasi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së zbuloi një aktakuzë për vrasje ndaj tij më 20 maj.
Autoritetet amerikane e akuzojnë Castron se urdhëroi rrëzimin e dy avionëve civilë të grupit kubano-amerikan “Brothers to the Rescue” në vitin 1996, sulm që shkaktoi vdekjen e katër personave.
Aktakuza shënon një zhvillim dramatik për liderin 94-vjeçar, i konsideruar si figura e fundit historike e Revolucionit Kubanez.
Presioni i Uashingtonit ndaj Havanës është shtuar ndjeshëm, ndërsa administrata amerikane po sinjalizon mundësinë e një strategjie të ngjashme me atë të përdorur ndaj Venezuelës dhe ish-presidentit Nicolás Maduro.
Raul Castro, i cili mori pushtetin nga vëllai i tij Fidel Castro në vitin 2008, kishte tentuar të hapte marrëdhëniet me SHBA-në gjatë presidencës së Barack Obamës. Takimi historik mes Obamës dhe Castros në Havana në vitin 2016 u konsiderua si një mundësi për reforma ekonomike dhe një zbutje të izolimit të Kubës.
Megjithatë, procesi i afrimit u ndërpre në vitin 2017 nga administrata e Donald Trump, e cila riktheu presionin ekonomik dhe politik ndaj regjimit komunist.
Sipas analistëve, Raul Castro kërkoi të ruante pushtetin dhe sistemin komunist, ndërsa lejoi reforma të kufizuara ekonomike, si zgjerimi i bizneseve private dhe aksesit në internet.
Sipas regjistrimeve audio të publikuara vite më parë, Raul Castro dyshohet se dha urdhër për rrëzimin e avionëve të “Brothers to the Rescue”, të cilët Kuba i konsideronte provokim ndaj hapësirës së saj ajrore. Një avion arriti të largohej, ndërsa dy të tjerë u rrëzuan nga avionët luftarakë kubanë.
Top Channel