Euro godet eksportet, biznesi: Dëmi në ekonomi, 27 miliardë lekë

03/05/2018 14:49

Këtë të enjte euro preku nivelin më të ulët të këmbimit me lekun që nga shkurti i 2009. Sipas Bankës së Shqipërisë 1 euro shkëmbehet me 127,7 lekë 5 pikë më pak se fillimi i janarit të këtij viti.

Përtej statistikave, shqetësimi i parë për zhvlerësim kaq shpejt të euros vjen nga eksportuesit. Ata thonë se humbjet janë të mëdha për një sektor kyç të ekonomisë.

“10% euro e zhvlerësuar krahasuar me 1 vit e gjysmë më parë do të thotë 10% pak të ardhura ose zerim të fitimit të gjithë bizneseve eksportuese vendase, me një impakt negativ në ekonomi prej 270 miliardë lekësh të vjetra”, shprehet Alban Zusi, Qendra e Eksporteve Shqiptarë.

Për eksportuesit, goditje do pësojë e gjithë ekonomia.

“Situata më e rëndë ekonomike pas piramidave, nuk do të ketë investime, rritje pagesash, mund të ketë falimentime”, thotë Zusi.

Bizneset eksportuese i kërkojnë qeverisë që të ngrejë një komision për të analizuar situatën dhe Banka e Shqipërisë të bëjë transparencë për arsyet e zhvlerësimit.

“Tashmë guvernatori përmendi arsye specifike të cilat padiskutim duhet të bëhen transparente, se kush janë këto arsye specifike”, shprehet eksperti.

Eksportet shqiptare me Eurozonën përfshijnë sektorë të rëndësishëm të punësimit që janë zhvilluar vitet e fundit si fasoneria e tekstileve dhe ushqimit, si dhe shërbimet e “call center”.

Top Channel