Shqiptarët pas hekurave jashtë shtetit, numër i njëjtë me ata në Shqipëri

30/04/2018 15:22

Shqiptarët jashtë vendit që kanë humbur lirinë, pasi ndodhen pas hekurave, ishin arsyeja pse u mblodhën në Kuvend tre ministra të qeverisë.

Etilda Gjonaj që drejton ministrinë e Drejtësisë, tregoi me shifra se nuk janë pak ata që kërkojnë vëmendjen e shtetit të tyre.

“Deri në fund të vitit 2017 në 6 shtetet ku ndodhet dhe numri më i lartë i shqiptarëve, në institucionet penitenciare, si në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, Hollandë dhe Austri rezultojnë rreth 4500 shtetas shqiptarë të dënuar apo paraburgosur, një numër pothuajse i njëjtë me numrin e personave të privuar nga liria në institucionet e vuajtjes së dënimit në shtetin shqiptar”, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Si ministër për Diasporën, Pandeli Majko ka një koncept më të gjerë kur flet për shqiptarët jashtë vendit. Kolegut të tij në qeveri, që drejton Ministrinë e Jashtme, nuk ia kurseu vërejtjen, por Ditmir Bushati tha se e drejta ndërkombëtare ia lidhte duart.

“Duhet pranuar se në psiqikën tonë administrative për diplomatët e aftë është fiksuar formati i diplomatit të luftës së ftohtë. Si mund të jetë një diplomat i aftë për forcimin e marrëdhënieve në një shtet kur është i pamundur të vendosë marrëdhënien me komunitetin e shqiptarëve që jeton aty”, tha Majko.

“Jo në çdo rast bëhet fjalë për pasaportë shqiptare, që do të thotë që përgjegjësia shkon përtej shtetit shqiptar, dhe mundësitë për të ndërhyrë janë thuajse zero”, u shpreh Bushati.

Ministri i Jashtëm kërkoi që të evitohej stigmatizimi i shqiptarëve si njerëz të lidhur me krimin.

Top Channel