Qeveria do të rrisë përtej nivelit 10 milionë lekë në vit, tavanin e xhiros për të cilin biznesi paguan tatim-fitimi të reduktuar.

Kryeministri tha se kjo masë merret për të lehtësuar biznesin e vogël nga presioni i futjes në skemën e TVSH-së.

“Problemi juaj nuk është TVSH, por tavani 8 milion, sepse duke kapërcyer tavanin ju ktheheni në subjekt që pastaj jeni të detyrar të paguani një taksë nga 5 në 15%. Kjo bën që shumë prej jush gënjejnë. Gënjejnë me bilancet dhe për të mbajtur kokën nën tavan, ndërkohë që xhiron e keni më të lartë, jetojmë në stresin e hartimeve të bilanceve të rreme. Nga 5 për qind, në 15 për qind, kjo bën që shumë prej jush gënjejnë me bilancet dhe për të mbajtur kokën nën tavan jetojnë nën stresin e vazhdueshëm të hartimit të bilanceve të rreme”, deklaroi Rama.

Aktualisht tatim-fitimi paguhet me tre fasha. Për bizneset që kanë xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë kjo taksë është zero. Për bizneset me xhiro nga 5 deri në 8 milionë lekë në vit tatim-fitimi është 5 për qind. Por nëse xhiro kalon mbi 8 milionë lekë atëherë tatim-fitimi rritet në 15 për qind.

“Këtë çështje ne mendojmë se ka ardhur koha ta adresojmë në mënyrë që asnjë biznes i vogël të mos gënjejë. Tavani do të rritet mbi 100 milionë! Me këtë rritje, ju nga gënjeshtarë të ktheheni në aleatë të shtetit për të realizuar qëllimin e gjithë kësaj lëvizjeje, që nuk është për të marrë më shumë lek nga ju për buxhetin, por për të mos lejuar që të mëdhenjtë t’u shmangen detyrimeve të shtetit”, shtoi Kryeministri.

Top Channel ka mësuar se aktualisht po konsiderohen disa variante për tavanin e ri, ku më të mundshmit janë 12, ose 14 mln lekë në vit. Por cilat janë efektet e kësaj mase?

Top Channel e ilustron me dy raste. I pari është ai i një biznesi që ka xhiro 12 mln lekë në vit dhe normë fitimi 15 për qind. Për këtë biznes tatim-fitimi nga 270 mijë lekë në vit që është sot, ulet në 90 mijë lekë.

Rasti i dytë është ai i një biznesi me xhiro 14 milionë lekë në vit dhe normë fitimi po 15 për qind. Për këtë biznes tatim-fitimi ulet nga 315 mijë lekë në vit në 105 mijë lekë. Sipas të dhënave zyrtare, nga kjo lëvizje përfitojnë direkte rreth 3 mijë biznese me xhiro nga 8-14 mln lekë në vit.

Por, përtej këtij efekti, qeveria synon të çlirojë biznesin e vogël nga frika për të deklaruar xhiron.

Top Channel