Ish-drejtori i CIA-s, Pompeo, konfirmohet si Sekretar i Shtetit

26/04/2018 19:23

Senati amerikan ka konfirmuar ish-drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo në postin e Sekretarit të Shtetit, duke i dhënë fund një beteje të ashpër për zyrtarizim.

Pompeo është akuzuar nga demokratët si tension nxitës dhe bartës të këndvështrimeve anti-myslimane dhe homofobike.

Senati votoi me 57 vota pro dhe 42 kundër duke e zyrtarizuar atë si kryediplomatin amerikan, të dytin e presidencës Trump. Paraardhësi i tij, Rex Tillerson, u shkarkua muajin e shkuar nga presidenti përmes “Tëitter”-it pas disa përplasjesh edhe publike.

Senatorët republikanë që kontrollojnë dhomën e lartë të kongresit, votuan në mënyrë unanime të enjten për të konfirmuar Pompeon në post dhe gjashtë demokratë iu bashkuan atyre. Miratimi vjen në kohën e duhur duke e vendosur Pompeon në krye të delegacionit amerikan në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, këtë fundjavë.

Në një deklaratë, Trump përgëzoi sekretarin e ri të shtetit duke e quajtur atë një person që do të vendosë gjithnjë interesin e Amerikës të parin.

Pompeo është personi që është angazhuar në bisedimet përgatitore për takimin e Trump me liderin koreanoverior, Kim Jong-un duke vizituar madje pak kohë më parë edhe Penianin. E pa kaluar as një orë nga betimi i tij para gjykatësit suprem Samuel Alito, ai u ngjit në bordin e një avioni ushtarak për t’u nisur drejt Belgjikës.

E sipas zëdhënëses së departamentit të shtetit, asnjë sekretar shteti në historinë moderne nuk ka udhëtuar kaq shpejt pas konfirmimit.

Pas Brukselit ai do të vizitojë Izraelin, ku pritet të takohet me kryeministrin Benjamin Natanjahu në Jeruzalem. Gjatë këtij turi ai do të ndalet edhe në Arabinë Saudite dhe Jordani për të diskutuar çështje kritike, dypalëshe, sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit.

Top Channel