Ministri i Diasporës, Pandeli Majko u bë zyrtari i parë që takon emigrantët shqiptarë në Houston të Shteteve të Bashkuara.

Majko mori pjesë në konferencën e 10-të për “Fuqizimin Global” të zhvilluar në Universitetin e Harvardit dhe më pas u takua me një përfaqësi emigrantësh shqiptarë atje.

“Pas 28 vitesh, më në fund mirëpresim një përfaqësues të qeverisë së shtetit amë në Houston”. Me këto fjalë, komuniteti i uroi mirëseardhjen Ministrit.

Përfaqësuesit e shoqatave shqiptare që veprojnë në Houston, ndër të cilët Idajet Bedini i ‘Arbëria Houston” dhe Dr. Arian Haxhillari, theksuan rëndësinë e vizitës së një zyrtari të lartë të qeverisë, si një pikënisje për trajtimin e problematikave që shqetësojnë komunitetin.

U përmend çështja e regjistrimit të fëmijëve dhe mundësimi i qasjes elektronike ndaj librave shqip. Sa i përket çështjes së regjistrimit, Majko pranoi se kjo është një prej sfidave më të mëdha me të cilat po përballen.

Ai tha se po bashkëpunohet me Ministrinë e Jashtme, duke filluar që nga rrënjët e problematikës, me ideimin e ligjeve dhe akteve që do të adresojnë çështjen.

Lidhur më shqetësimin e dytë, Ministri Majko përmendi përpjekjet që po bëhen për të ashtuquajturin ‘e-book’, projekt që do të mundësojë publikimin online të të gjitha librave të kurikulës së përbashkët me Kosovën.

Top Channel