Vunoi do të shndërrohet në qendrën e kulturës dhe argëtimit këtë fundprill, në edicionin e dytë të “South Outdoor Festival”. Kjo nismë e qeverisë gjermane synon t’i paraprijë sezonit turistik veror.
“Është një festival që theksin e vë tek diversiteti. Shqipëria ka shumë për të ofruar sa i takon larmishmërisë së turizmit. Këtë vit kemi zgjedhur Vunoin. Kemi marrë një “feedback” të mirë nga pjesëmarrësit shqiptarë në edicionin e parë, por edhe nga Kosova ka pasur shumë kërkesa këtë vit. Shpresojmë të jetë sërish një sukses dhe të kthehet në një traditë”, deklaron Jurgen Cassens, Drejtor i Përgjithshëm i GIZ.
Vizitat kulturore në fshatin Vuno dhe Himarën e vjetër nuk do të jenë risia e vetme këtë vit. E njohur për prodhimin e vajit të ullirit, riviera shqiptare nuk mund të anashkalohej nga vizitorët, të cilët këtë vit do të degustojnë vajin e ullirit në grupe të organizuara.
“Një gjë që duam ta bëjmë ndryshe nga viti i kaluar është fokusimi më tepër tek prezantimi i zonës sesa tek argëtimi përmes sportit. Kemi përfshirë këtë vit aktivitetet që kanë të bëjnë me kulinarinë dhe degustimin. Shpresojmë të kemi më shumë pjesëmarrës sesa vitin e kaluar, që ishin vërtet shumë. Shpresoj që aleati ynë kryesor, moti, të jetë me ne, pasi kur ka diell, të gjithë mund ta shijojnë më shumë”, shton Cassens.
Për tre ditë me radhë, nga data 27 deri më 29 prill, ky festival i organizuar në natyrë do të ofrojë aktivitete të ndryshme sportive, ushqim të mirë dhe muzikë.
Top Channel