Qindra qytetarë vlonjatë, pushues vendas dhe turistë të huaj mbushën mbrëmjen e së dielës shëtitoren “Lungomare” në Vlorë për të ndjekur nga afër spektaklin e “Portokallisë”, që solli humor dhe argëtim në një nga pikat më të frekuentuara të qytetit bregdetar.
Aktorët më të njohur të humorit shqiptar interpretuan skeçe që u pritën me duartrokitje dhe të qeshura nga publiku. Atmosfera festive u pasurua edhe me performanca muzikore, ku aktorët kënduan së bashku me qytetarët dhe turistët, duke krijuar një mbrëmje të veçantë verore.
Sheshi i Lungomares ishte i mbushur plot dhe spektakli vijoi deri në orët e vona të natës, ndërsa publiku shijoi një program të larmishëm mes humorit dhe muzikës.
Në përfundim të aktivitetit, aktorët e “Portokallisë” u shprehën të lumtur për rikthimin në Vlorë, duke vlerësuar mikpritjen e qytetit dhe entuziazmin e publikut, që sipas tyre i bën gjithmonë të ndihen si në shtëpi.
Top Channel