Temperatura e zgjedhjeve vendore po tregon ngjitje pikërisht aty ku betejat lokale zhvillohen, në sallat e këshillave bashkiakë. Edhe pse jemi një vit larg garës së ardhshme për bashkitë, lëvizjet kanë filluar dhe rruga më e zakonshme është nga LSI-ja drejt PS-së.

Rasti më i fundit është i Belshit, ku tre këshilltarë të LSI-së kaluan në grupin socialist. Të larguarit janë Besmira Xhaferri, Ramadan Elezi dhe Ruzhdi Fejzullahu.

“Kur 3 vjet më parë garuam në këhsillin bashkiak nën siglën e LSI ishim të bindur se bashkimi i të majtës kishte ndodhur njëherë e mirë. Sërish LSI është në koalicion me PD duke punuar jo vetëm kundër të majtës po duke kundërshtuar pa asnjë esencë çdo gjë të mirë që është bërë në 5 vitet e fundit. I bashkohemi PS për të kontribuar në zhvillimin e zonës sonë”, thotë Ramadan Elezi, këshilltar bashkiak, Belsh.

Por PS nuk tërheq vetëm majtas, ajo ka shtuar numrat e saj në këshill me legalistin Ismail Paja dhe ballistin Ruzhdi Fejzullahu.

Ndërsa të enjten largime pati në Fier, ku 4 këshilltarë të LSI shtuan radhët e PS në bashkinë që drejothet nga socialisti Armando Subashi. Lëvizje ditët e fundit ka pasur edhe Gjirokastra, ku më 12 mars përpjekjet e socialistëve për të marrë anëtarë në grupin e tyre dështuan dhe shumica PD-LSI me 16 anëtarë zgjodhi mes debatesh kreun e ri të Këshillit bashkiak. Atë ditë vetë kreu demokrat i degës së Gjirkastrës tha se ky ishte një veprim logjik i dy forcave politike në opozitë dhe jo rredhojë e një marrëveshjeje PD-LSI.

E ndërsa baza ka nisur nxehjen, duke treguar tension dhe betejë numrash kryesisht mes PS dhe LSI, nga qendra sinjali që dërgon Petrit Vasili është betejë kundër Edi Ramës, ndërsa zgjedhjet vendore nuk i quan prioritare.

“Është një argument absolutisht i dorës së dytë në raport gjendjen në të cilën ndodhemi ne, në raport edhe me ndërkombëtarët”, u shpreh Petrit Vasili.
Ai tha se e enjtja ishte kulmimi politik i bashkëpunimit Basha-Kryemadhi dhe mohoi të ketë pasur takim kryetares së LSI me kryeministri
“Nuk ka pasur, nuk ka, dhe nuk do të ketë asnjë takim të zonjës Kryemadhi me kryeministrin e vendit”, shton ai.

Ndërsa nga PD Edi Paloka dha këtë koment për Top Channel: “Nuk ka asnjë ndryshim në marrëdhëniet mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Jemi në një koalicion opozitar kundër qeverisë së Edi Ramës, më të keqen që vendi ka pasur”.

Top Channel