Me mbi 1.4 milion shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Itali e Greqi dhe me prani në te gjithë botën, diaspora shqiptare përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme, por të pashfrytëzuar për Shqipërinë.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (ONM) e OKB-së lajmëroi nisjen e një programi që synon të trajtojë pikërisht këtë sfidë: të rrisë angazhimin e diasporës shqiptare për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë.

Sfida e së tashmes është që të krijohet një mjedis që nxit angazhimin e diasporës për të ofruar talentin, praktikat dhe përvojat më të mira për të zhvilluar Shqipërinë.

Ky program financohet nga Kooperacioni Italian, nën angazhimin politik të Ministrisë për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë dhe përfshirjes operacionale të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim.

Programi zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Ky program trevjeçar do të fokusohet në diasporën shqiptare në Itali me një prani prej rreth 500 mijë personash. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e shpalljes së programit, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, vendosi theksin në rolin e rëndësishëm që diaspora mund të luajë.

“Migrantët zotërojnë dije dhe talente. Këto janë vlera themelore për bashkëpunim. Të dy vendet tona mund të përfitojnë nga angazhimi i disaporës” – tha ai.

Ministri i Shetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cilësoi bashkëatdhetarët që jetojnë jashtë vendit si një pasuri për Shqipërinë.

“Shqiptarët jashtë vendit janë një pasuri thuajse e pashfrytëzuar e kombit shqiptar. Prandaj ky projekt është i rëndësishëm, pasi do të na mundësojë një qasje më të efektshme ndaj potencialit të pakufishëm të diasporës sonë”, tha ai.

Top Channel