Jeta me tufën e bagëtive, historia e bariut dhe trashëgimi i këmborave 200-vjeçare

25/02/2018 15:15

Kristofor Konomi ishte vetëm 8 vjeç kur shoqëroi për herë të parë një tufë me bagëti në shpatin e malit të Dhëmbelit. Ishte një kope e madhe e krijuar nga gjyshi. Që prej fëmijërisë Kristofori nuk e braktisi më këtë zanat.

Një pjesë e këmborëve 200 vjeçare të trashëguara brez pas brezi mbahen sot nga bagëtitë që prijnë kopenë e tij. Kristofori punoi për shumë vite si emigrant në Greqi pas ’90, por u kthye për të bërë atë që ai thotë se bën më mirë, bariun.

Është punë e lodhshme sepse të mban lidhur 24 orë, por kur kopeja rritet, kur të sapolindurit janë të shëndetshëm edhe jeta është e qetë dhe e bukur në mal.

11 km larg kufirit me Greqinë dita e bariut nga Poliçani i Pogonit nis në mëngjes e mbyllet me mjeljen e bagëtive në mbrëmje. Qumështin nuk e përpunon më bariu por shkon në punishte ndërsa jeta është bërë disi më e lehtë krahasuar me periudhën kur gjyshi i tij ishte bari.

Në të gjithë zonën e Pogonit llogaritet që 70% e popullsisë është në emigracion. Zona me kullota të pasura ku dikur dimrat zgjasin disa muaj, ka ndryshuar tashmë fizionomi. 20 vitet e fundit pranvera vjen më herët në Poliçan, kurse barinjtë me kërrabë e qen janë gjithnjë e më të rrallë.

Top Channel