Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj doli në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat mbrëmjen e së shtunës për të folur në lidhje me bisedimet që janë zhvilluar në spektrin politik për çështjet e kufirit me Malin e Zi.

Haradinaj tha para gazetarëve se është arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe sipas tij, ky pakt plotëson kërkesën e këtij subjekti politik.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës tha se nuk ka ende një dakordësi me Listën Serbe.

Gjatë ditës, palët politike në koalicionin qeverisës të Kosovës njoftuan konsensusin për të ratifikuar në Kuvend marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Lajmi konfirmohet nga kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili përmes një statusi në Facebook ka njoftuar se PDK-LDK-AAK përfshi edhe Nismën e Limajt dhe AKR-në e Pacollit, janë të gatshëm të votojnë.

“Dëshiroj të falënderoj kryeministrin Haradinaj, LDK-në, Nismën socialdemokrate dhe zv.kryeministrin Pacolli për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv”, ka shkruar Veseli.

“Ky bashkëpunim duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera të rëndësishme për vendin”, vijon më tej statusi i kryeparlamentarit të Kosovës.

Demarkacioni është vendosur si kusht nga Bashkimi Europian për të liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës. Por, ratifikimi i tij është shtyrë për javën e ardhshme, pas shtyrjeve të njëpasnjëshme të kësaj jave, për mungesën e votave të nevojshme për ratifikim në Kuvend.

Në Kuvend duhen 80 vota pro, sa dy të tretat e deputetëve për të miratuar marrëveshjen me fqinjin malazez.

 

Top Channel