Gjykata Speciale refuzon lirimin me kusht të Hashim Thaçit, refuzohet garancia prej 50 mijë eurosh Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e 6 gushtit nuk garanton sukses në funksionalizimin e të gjitha institucioneve. Derisa Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, në bashkëpunim me minoritetet jo-serbe, mund të konstituojë parlamentin dhe të formojë qeverinë, nuk mund të sigurojë kuorumin prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit.
Kësisoj, Vetëvendosjes së Albin Kurtit i duhet një partner tjetër që të mos e çojë vendin edhe një herë në zgjedhje. Rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka rritur mundësitë që të arrihet një koalicion mes këtyre partive, por, kur kanë mbetur edhe tre ditë deri në seancën konstituive, asnjë takim nuk është zhvilluar.
Të hënën, ministrja në detyrë e Tregtisë dhe partnerja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se mund të jetë çështje orësh kur Kurti fton Abdixhikun për diskutime.
Kusari-Lila tha po ashtu se do të ishte problematike të vendoseshin kushte për të arritur një koalicion mes palëve.
Një marrëveshje mes Vetëvendosjes, partnerëve të saj dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të arrinte minimumin e kuorumit të kërkuar me Kushtetutë. Por kjo nuk është e sigurt, pasi deputetë të zgjedhur të LDK-së janë kundër një bashkëpunimi, edhe pse të enjten, kur Abdixhiku u rikonfirmua si kryetar, nxori një deklaratë nga Kuvendi që obligon deputetët të jenë në një linjë me vendimet e kryesisë së partisë.
Kosova është në javën vendimtare të formimit të institucioneve. Në ditën e konstituimit do të nisë rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit. Në rast se deputetët do të dështonin ta arrinin këtë, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Top Channel