Aksident i rëndë në aksin Lezhë-Milot, makina përplas për vdekje këmbësorin
Kompania italiane “Meral SRL”, në pronësi të familjes Çela, ka ngritur një padi për shpifje ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, pas sekuestrimit të pasurive të biznesit.
Çështja lidhet me një operacion të zhvilluar në fillim të korrikut të vitit të kaluar, kur një hetim i përbashkët midis prokurorisë së Tiranës dhe Guardia di Finanza kulmoi me sekuestrimin e pronave me vlerë 4 milionë euro.
Sipas teorisë së prokurorit të SPAK-ut, Altin Dumani, një ndërtesë e tërë në Via Murari Bra, që përmbante 30 dyqane dhe zyra, si dhe një kompleks në Nogarole Rocca, ishte blerë nga “Meral SRL”, në pronësi të familjes Çela, duke përdorur para nga trafikimi i paligjshëm, veçanërisht trafikimi i kokainës.
Më pas llogaritë e kompanisë u sekuestruan, kredia iu mohua dhe asete me vlerë miliona euro u ngrinë. Një muaj më vonë, më 4 gusht, gjyqtarja e hetimeve Paola Vacca, e cila kërkoi edhe sekuestrimin e pasurive, vendosi të rrëzojë urdhrin e saj, dhe urdhëroi lirimin e kthimin e të gjitha pasurive të pronarëve.
Dokumentacioni i ofruar nga avokatët e familjes Çela, tregonin se çdo euro ishte fituar në mënyrë të ligjshme përmes aktiviteteve të ligjshme biznesi dhe më pas ishte investuar. Asnjë nga anëtarët e familjes nuk kishte ndonjë të kaluar kriminale, as hetime të nisura, madje as një gjobë parkimi.
Vetë SPAK në Shqipëri, dhe konkretisht prokurori Dumani, i kishin hequr akuzat për pastrim parash, të cilat më pas ia kishin dërguar Italisë.
Pavarësisht lirimit të sekuestros dhe dërgimit të dokumentacionit të paraqitur nga avokatët në Prokurori nga ana e gjyqtarit hetues për një shqyrtim të akuzave (në këtë rast, pastrim parash), gjë që nuk ndodhi, problemet financiare të kompanisë vazhduan.
Pavarësisht lirimit të pronave, bankat kanë mbyllur llogaritë e tyre dhe humbja e operacioneve bankare ka ndikuar në menaxhimin financiar, duke përfshirë zyrat në Via Murari Bra, të cilat kanë mbetur pa mirëmbajtje, duke shkaktuar një sërë ankesash nga qiramarrësit.

Gjyqtarja e çështjes, gjithashtu hodhi poshtë kërkesën për zgjatjen e hetimit, duke argumentuar se nuk kishte arsye për të vazhduar, veçanërisht duke pasur parasysh gjetjet e palëve të interesuara, sepse nuk ishte regjistruar asnjë euro e fituar në mënyrë të paligjshme.
Pasuria e familjes Çela rrjedh nga menaxhimi i tregut të Elbasanit dhe zgjerimi i tij i mëvonshëm, teksa fitimet u dhjetëfishoheshin. Ata gjithashtu blenë aksione në një kompani, “Ruga Asfalti”, e cila ndërton diga, tunele, ura e autostrada në Shqipëri edhe vende të tjera të Ballkanit.
Pas situatave të krijuara, brenda një viti, përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Meral SRL” ngriti një padi për shpifje kundër ish-kreut të SPAK, Altin Dumani.
Prokuroria e Veronës kërkoi pushimin e procedimit, por gjyqtari i hetimeve paraprake, Enrico Zuccon, vendosi të mos e mbyllë çështjen në këtë fazë. Gjykata u ka dhënë autoriteteve italiane dy muaj kohë për të kryer verifikime shtesë, mes tyre shqyrtimin e dokumentacionit të dërguar nga autoritetet shqiptare, si dhe sqarimin nëse në momentin e transmetimit të materialeve ekzistonin vendime në Shqipëri që kishin pushuar hetimet ose rrëzuar akuzat ndaj familjes Çela dhe nëse këto u ishin komunikuar autoriteteve italiane.
Avokati mbrojtës i Dumanit, i ka kërkuar gjyqtarit Zuccon të pushojë çështjen, duke argumentuar se ankesa është paraqitur për të ngritur padi ndaj prokurorit shqiptar, në lidhje me disa hetime për krimin e organizuar që ai po kryen. Aktualisht, çështja nuk është pushuar, por nevojiten hetime plotësuese, teksa ato do të kthehen para gjyqtarit hetues pas dy muajsh.
Top Channel