Kurdët, Erdogan përplaset me Shtetet e Bashkuara

14/02/2018 13:29

Kurdët e kanë vendosur Recep Tayyip Erdoganin në kurs përplasjeje me Amerikën.

Presidenti turk paralajmëroi Uashingtonin se ndihma që u ka dhënë kundërshtarëve të mëdhenj të Turqisë do të ketë pasoja.

“Trupat e Shteteve të Bashkuara, – tha Erdogan, – do të marrin një shuplakë osmane, nëse përpiqen të pengojnë një sulm ndaj kurdëve në Manbij të Sirisë veriore”.

Kërcënimi i tij vjen përpara vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, i cili ndalon në Ankara të enjten dhe të premten.

“Ne nuk do të hapim zjarr qëllimisht kundër tyre, kjo është e vetëkuptueshme”, deklaroi presidenti turk në fjalimin e mbajtur përpara grupit parlamentar të partisë së tij “AKP”.

“Por, po e them që tani se do të zhdukim nga faqja e dheut çdo terrorist që do të shohim, duke nisur nga ata që qëndrojnë drejtpërdrejt pranë tyre dhe u rrahin shpatullat”, shtoi ai.

Erdogani nuk ngurroi të kritikonte në fjalën e tij mbështetjen amerikane për njësitë paraushtarake kurde, “YPG”.

“Vendimi i aleatit tonë për ndihma financiare për YPG-në do të ketë padyshim ndikim te lëvizjet që do të bëjmë ne”, tha kreu i shtetit turk, duke reaguar kështu ndaj planeve të buxhetit të Pentagonit, të cilat parashikojnë 300 milionë dollarë për stërvitje dhe pajisje në Siri, si dhe 250 milionë dollarë për sigurimin e kufijve.

Sipas medieve turke, nga këto parà, 550 milionë dollarë janë parashikuar në vitin 2019 për milicët kurdë.

Top Channel