Bursat, në pikiatë. Nis nga SHBA, tregjet financiare janë tronditur edhe në Europë

06/02/2018 09:11

Bursat europiane ndoqën trendin e atyre aziatike, që ranë në pikiatë pas asaj që shtypi botëror e cilësoi si “e hëna e zezë e Wall Street”-it.

Bursat e Londrës, Parisit e Frankfurtit u çelën që të gjitha me humbje, që mbërrinin deri në 3%, përpara se të rikuperonin disi me kalimin e orëve.

Para tyre, indeksi japonez “Nikkei 225” pësoi humbjen më të madhe të pikëve brenda një dite, që prej vitit 1990; ai i Hong Kongut ra me 4.1% dhe i Shangait me 2.7%.

Tërmeti në tregjet e aksioneve në Azi pasoi rrëshqitjen më të thellë të Indeksit “Dow Jones” për prodhimin industrial në më shumë se 6 vite.

Forcimi i ekonomisë globale dhe fitimet e qëndrueshme të korporatave i kishin çuar tregjet globale të aksioneve drejt majave të reja. Por shitja në masë nisi javën e kaluar, pasi një raport mbi vendet amerikane të punës nxiti pritshmëritë se Rezerva Federale do të rrisë normën e interesit më shpejt nga sa pritej.

“Njoftimet ekonomike nga Shtetet e Bashkuara ishin më të forta sesa parashikimet, – thonë ekspertët, – e kjo si për ironi tregon se luhatjet e ndjeshme të tregjeve sot janë praktikisht rrjedhojë e lajmeve të mira ekonomike”.

Rritja e Shteteve të Bashkuara ka qenë 2.6 për qind në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, ndërsa shkalla e papunësisë është 4.1 për qind, më e ulëta në 17 vite.

“Ky nuk është një kolaps i ekonomisë, – tha Erin Gibbs e “Standart and Poor’s”. – Ky është një shqetësim që buron nga fakti se ekonomia po ecën më mirë nga sa pritej, ndaj dhe në këtë situatë nevojitet një rivlerësim”.

Shembja e “Wall Street”-it, me “Dow Jones”-in që dogji 1.179 pikë, tërhoqi pas vetes edhe Bursën e Torontos, atë meksikane, e rënie pati edhe indeksi brazilian “Bovespa”.

Top Channel