Vuçiç në Mitrovicë: Serbia, gjithçka nga vetja për të ruajtur paqen

20/01/2018 12:46

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka porositur në Kosovë se Serbia do të japë gjithçka nga vetja për ta ruajtur paqen, se do të bëj gjithçka që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen, që të sigurohet paqe dhe siguri e qëndrueshme për të gjitha familjet serbe dhe shqiptare.

Është më mirë të bisedohet se sa të shkrepet një plumb diku. Kështu tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në mjë konferencë për shtyp pas takimit që zhvilloi me liderët e serbëve në veri të Kosovës. Ai i kërkoi serbëve të veriut që të kërkojnë zgjidhje politike dhe me bisedime e po ashtu të mos i braktisin shtëpitë e tyre.

“Nuk keni shtëpi tjetër përveç kësaj dhe ne duam që ju të mos e braktisni atë asnjëherë. Kjo është në interes të Serbisë. Ju lutem qëndroni këtu dhe mos u frikësoni”, u shpreh Vuçiç

Presidenti serb kërkoi edhe një herë që Serbia të përfshihet në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviç ndërkohë që më herët kishte premtuar se do të ndante informacionet me policinë e Kosovës.

“Dëshiroj jo vetëm që të shkëmbejmë informacionet, por edhe të marrim pjesë në hetim. Më vjen keq që deri më tani nuk e kanë pranuar bashkëpunimin në këtë mënyrë. Zbardhja e këtij krimi është thelbësore për largimin e shqetësimit dhe do të thoja edhe frikës së njerëzve dhe përbën një shikim drejt së ardhmes”, tha presidenti serb.

Vuçiç e nisi vizitën e parë të tij në Kosovë në cilësinë e presidentit, mëngjesin e të shtunës në manastirin e Banjskës afër Zveçanit. Ai vendosi një kurorë me lule në vendin ku u vra Ivanoviç ndërsa pas takimit me politikanët serbë të Kosovës u takua edhe me banorët serbë në Gracanicë dhe Llapna Sellë.

Top Channel