Ministrja Gjonaj prezanton drejtorin e ri të Përmbarimit

15/01/2018 16:33

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj prezantoi sot drejtorin e ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit Shtetëror, Piro Lutaj.

Gjatë prezantimit në zyrat e Përmbarimit të Tiranës, ministrja e Drejtësisë, Gjonaj vlerësoi maksimalisht figurën e Piro Lutajt, duke u ndalur në kontributet e tij profesionale.

Në fjalën e saj Ministrja Gjonaj tha se me emërimin nga kryeministri Rama të Piro Lutaj, synohet të rritet performanca në këtë Institucion, që kohët e fundit ka regjistruar përqindje të ulët të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Marr në konsideratë problematikat e Përmbarimit ,kjo edhe për shkak të mungesës së eficencës së stafit, eksperienca e gjatë e drejtorit të ri në strukturat drejtuese shtetërore dhe organet vendimmarrëse, për ministren Gjonaj, pritet të ndikojë pozitivisht në rezultatet e punës.

Ministrja e Drejtësisë nënvizoi nevojën për strukturim që ka ky shërbim. Do të jetë pikërisht analiza vjetore e punës së këtij Institucioni si dhe vlerësimi që pritet të dalë nga grupet e inspektimit, për të përcaktuar hapat e nevojshëm që do të ndërmerren për të ndryshuar imazhin dhe punën e këtij Institucioni.

Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit Shtetëror, Piro Lutaj u angazhua maksimalisht për të arritur rezultatet e pritshme. Zoti Lutaj kërkoi bashkëpunimin e ngushtë dhe reflektim nga stafi, për të qenë bashkudhëtarë të suksesshëm në këtë rrugëtim të ri.

Top Channel