Britani, 11 vite burg për dy motrat trafikante të emigrantëve shqiptarë

08/01/2018 17:28

Gjykata në qytetin bregdetar të Portsmouthit ka dënuar me 11 vite burg dy motra që tentuan të trafikonin në Britani 7 emigrantë shqiptarë.

Ato po i transportonin shqiptarët me një furgon tip karavan, i cili pas skanimit nga autoritetet kufitare rezultoi se në pjesën e pasme ndodheshin 5 persona, por pas kontrollit të imtësishëm edhe dy të tjerë u gjendën të fshehur në pjesën e sipërme, mbi kabinën e karavanit.

Të dyja motrat angleze ishin në borxh me një trafikant shiptar droge dhe për të paguar shumën prej 4.000 stërlinash pranuan të sillnin ilegalisht familjen e tij, siç pretendonte trafikanti, përfshi edhe një minoren.

Njëra nga motrat mori si shofere motrën tjetër, pasi vet e kishte të ndaluar t’i jepte makinës pas problemeve me alkoolin.

Emigrantët kishin udhëtuar në kushte mjaft të rënda higjenike. Oficerët e Emigracionit pikasën erën e rëndë që vinte nga furgoni, por motrat e justifikuan atë me erën e djathit që kishin në frigoriferin e karavanit, e më pas me faktin që tualeti ishte i mbushur pasi njëra nga motrat hante shumë.

Të dyja motrat, 43 dhe 47-vjeçare, njëra me banim në Woodgreen, në veri të Londrës, dhe tjetra në Gjibraltar, u arrestuan në fillim të tetorit të vitit të kalaur nga autoritet kufitare, pasi mbërritën në Portsmouth në jug të Anglisë me tragetin “Brittany”, nga porti i Bilbaos në Spanjë.

Rruga e Bilbaos me traget është gjetja e re e trafikimit të emigrantëve ilegalë shqiptarë drejt Britanisë. Gjashtë shqiptarët u rikthyen në Bilbao të Spanjës, ndërsa minoreni është nën kujdesin e shtetit britanik, u tha në procesin gjyqësor.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel