Tsipras përdor Zvërnecin për politikë, futet në polemikë me Ramën: Mos më jep leksione publike çfarë është nacionalizmi

01/06/2026 21:35

Ish-kryeministri grek, Alexis Tsipras, iu përgjigj ashpër kryeministrit shqiptar Edi Rama pas reagimit të këtij të fundit ndaj deklaratës së partisë së re të Tsiprës, ELAS, për incidentet në zonën e Vlorës.

Tsipras shprehet se u habit nga akuzat për retorikë nacionaliste dhe thekson se veprimtaria e tij politike, përpjekjet për paqe dhe bashkëpunim në rajon, si edhe Marrëveshja e Prespës , nuk i japin askujt të drejtën t’i mbajë leksione publike mbi nacionalizmin apo të majtën e shekullit XXI.

Ai nënvizon se mbrojtja e të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë Minoritetin Kombëtar Grek në Shqipëri, nuk duhet të ngatërrohet me nacionalizmin. Sipas tij, forcat progresiste duhet të mbështesin gjithmonë shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave ligjore të çdo qytetari.

Tsipras kujton gjithashtu se prej gati një dekade ka diskutuar me Ramën rëndësinë e garantimit të të drejtave pronësore për të gjithë qytetarët shqiptarë, përfshirë edhe anëtarët e minoritetit grek, duke theksuar se përparimi në këtë drejtim do të ndihmojë perspektivën europiane të Shqipërisë, ndërsa çdo regres do të përbëjë pengesë.

Në fund të mesazhit të tij, ai i drejtohet Ramës me tone më pajtuese, duke i uruar suksese dhe duke shprehur shpresën për bashkëpunim të ardhshëm për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe për marrëdhëniet greko-shqiptare.

Top Channel