Putin viziton Sirinë, njofton tërheqjen e pjesshme të trupave ruse

11/12/2017 11:34

Vladimir Putin urdhëroi tërheqjen e pjesshme të trupave ruse nga Siria, gjatë një vizite të pa paralajmëruar në vendin e munduar prej konfliktit disavjeçar.

Presidenti rus u prit nga homologu i tij sirian, njëkohësisht aleati i vet i ngushtë në rajon, Bashar al-Assad, kur mbërriti në bazën ajrore ruse të Hmeymimit.

Shefi i Kremlinit e kishte deklaruar që në marsin e vitit 2016 se e kishte në plan largimin e pjesës më të madhe të trupave të Moskës nga vendi, por tani e bëri fakt.

Putin i ka kërkuar ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të nisin tërheqjen e ushtarëve drejt bazave të tyre të përhershme.

“E mora vendimin që një pjesë e mirë e kontigjentit rus të kthehet në shtëpi”, deklaroi ai.

Argumenti në mbështetje të kësaj lëvizjeje është se, Moska dhe Damasku e përmbushën misionin e shkatërrimit të Shtetit Islamik.

Ndërhyrja ushtarake ruse në Siri nisi shtatorin e vitit 2015, pas kërkesës së regjimit të atjeshëm për ndihmë në luftën kundër grupeve rebele e atyre xhihadiste, duke e ndërruar në mënyrë dramatike rrjedhën e konfliktit në favor të Assadit.

Mësohet se, edhe pas kësaj tërheqjeje, Rusia do të vazhdojë të mbajë bazën ajrore në Hmeymim, të Latakias, si dhe atë detare në portin sirian të Tartousit.

Presidenti rus qëndroi në Siri para se të shkonte në Egjipt, ku po takohet me presidentin egjiptian për të diskutuar zgjerimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, tregtare dhe ato në fushën e energjisë.

Top Channel