Demarkacioni me Malin e Zi, qeveria e Kosovës e çon në Parlament

04/12/2017 15:28

Kosova bën hapa për t’i dhënë fund ngërçit të Demarkacionit. Në mbledhjen e qeverisë u vendos që marrëveshja për kufirin me Malin e Zi të shkojë për votim në Kuvend. Asaj do t’i bashkëngjiten edhe përfundimet e Komisionit të ri shtetëror për Kufirin, i cili arriti në përfundimin se ujdia e nënshkruar në vitin 2015 ka cënuar tërësinë territoriale të Kosovës.

Kryetari i Komisionit të ri, Shpejtim Bulliqi tha se puna e komisionit paraprak kishte pasur të meta të mëdha.

“Komisioni ynë ka tejkaluar kompetencat e tij, gjykuar sipas nenit 40 të ligjit për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, duke i lejuar vetes t’i futet procesit të delimitimit, përkatësisht përcaktimit të vijës së re të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake”, tha kreu i komisionit, Bulliqi.

E megjithatë situata është e paqartë, duke qenë se detajet mbeten të pazbardhura. Zv.kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj shfaqi mospajtimin me përfundimet e raportit, që sipas tij vetëm sa e ka ndërlikuar situatën dhe nuk ka paraqitur fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë se marrëveshja ka qenë e dëmshme apo e gabuar.

Komisioni i ri për vlerësimin e vijës kufitare me Malin e Zi u ngrit me vendim të qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili prej fillimisht ka qenë një prej kritikuesve më të mëdhenj të marrëveshjes së arritur.

Pas mbledhjes, kryeministri i Kosovës tha se vendi është dëmtuar nga versioni aktual i marrëveshjes dhe se raporti i komisionit të ri është i besueshëm dhe profesional. Ndërkohë, presidenti Hashim Thaçi përgëzoi qeverinë për vendimin dhe u kërkoi deputetëve të zhbllokojnë rrugën e Kosovës drejt integrimit.

Top Channel