Parashikimeve të zymta të Stephen Hawking mbi fundit e botës, apo të qytetërimit në formën që ne njohim sot u shtohet edhe një tjetër.

Në gjuhën e shkencëtarëve ato njihen si supershpërthime vullkanike dhe deri më tani, njerëzimi, të paktën me aq sa ka të dhëna, nuk e ka përjetuar një të tillë.

Këto shpërthime, sipas shkencëtarëve janë në gjendje të çlirojnë pluhur vullkanik që të mbulojë kontinente të tëra, që për rrjedhojë do të pasohej me ndryshime klimaterike drastike, duke ftohur ndjeshëm temperaturën e planetit tonë.

Ai që godit Balin në ditët e fundit konsiderohet si një shpërthim “i rëndomtë” vullkanik, por që pati pasoja, përfshirë këtu edhe mbylljen e aeroporteve dhe ndërprerjen e fluturimeve në disa zona.

Super shpërthimi i fundit vullkanik, sipas shkencëtarëve, daton 74 mijë vite më parë dhe ka ndodhur në ishullin indonezian të Sumatras, pikërisht në zonën ku tani ndodhet liqeni Toba. Në hapësirë çliroi plot 3 mijë kilometra/kub shkëmbinj dhe pluhur.

Kjo sasi e çliruar në ajër u përhap dhe mbuloi thuajse gjithë kontinentet e Tokës, duke ndryshuar klimën për dekadat që pasuan.

Tani, shkencëtarët thonë se një shpërthim i këtyre përmasave mund të ndodhë më shpejt nga sa mendohej më parë.

Deri më tani besohej se këto supershpërthime ndodhin një herë në 45 mijë deri në 714 mijë vite. Por, një studim i ri i Professor Jonathan Rougier i publikuar në “Earth and Planetary Science Letters” e ul këtë fraksion kohor nga 5200 deri në 48 mijë vite. Pra, mesatarisht çdo 17 mijë vite.

Profesor Rougier thotë se studimi ka arritur në këtë përfundim pas analizës së të dhënave gjeologjike të grumbulluara ndër vite dhe sipas kësaj analize, super shpërthimi i fundit nuk ka ndodhur 74 mijë vite më parë, por në harkun kohor mes 20 mijë dhe 30 mijë viteve më herët.

Top Channel