Aubameyang irritohet për pezullimin. “Bild”: Faji mund të ketë qenë i Bosz

17/11/2017 21:17

Pierre-Emerick Aubameyang është hedhur në mbrojtje pas pezullimit të dhënë nga ekipi i Borussia Dortmundit, teksa ka thënë për “Bild” se “nuk e ka kuptuar ende” arsyen e ndëshkimit të fundit.

Sulmuesi 29-vjeçar nuk udhëtoi me Borussian për ndeshjen e sotme në Stuttgart, pasi u la jashtë ekipit për “shkaqe disiplinore”.

Futbollisti nga Gaboni ka shënuar 10 gola në 11 ndeshje deri më tani gjatë sezonit, por klubi nuk ka dhënë asnjë detaj të mëtejshëm se përse e la jashtë sulmuesin, përveçse konfirmoi shkeljen e disiplinës prej tij.

Gjithsesi, “Bild” raporton se sulmuesi ka qenë vazhdimisht me vonesë në seancat stërvitore dhe shkelja e fundit ndoshta mund të ketë të bëjë me faktin që ai mbërriti 20 minuta me vonesë në përgatitjet e fundit përpara udhëtimit drejt Shtutgartit.

Aubameyang është pezulluar nga klubi edhe nëntorin e vitit të kaluar, kur nuk mori pjesë në fitoren 1-0 ndaj Sportingut të Lisbonës për Champions League, për shkak të një udhëtimi të pamiratuar drejt Milanos nga ish-trajneri i atëhershëm Thomas Tuchel.

“Bild” pretendon se Aubameyang ka kryer një tjetër udhëtim drejt Barcelonës këtë vit, pa lejen e klubit, nga i cili ai ishte kthyer orët e vona të së dielës. “Pas Milanos, mund ta kuptoj pezullimin dhe gjobën që më vunë për shkak të shkeljes së rregullores së klubit. Por nuk kam asnjë arsye ta kuptoj këtë ndëshkim të ri”, ka thënë lojtari për median gjermane.

Sipas “Bild”, Aubameyang kishte menduar se koha e nisjes për transfertën e Shtutgartit ishte 14:30, ndërkohë që realisht ishte përcaktuar orari 14:00. Media gjermane raporton gjithashtu se edhe lojtarë të tjerë të ekipit ishin ankuar te trajneri Peter Bosz për këtë ngatërresë të orarit.

Top Channel