Gjatë verës së këtij viti në qarkun e Elbasanit janë regjistruar 110 zjarre në pyje, ndërkohë që vetëm 12 persona janë proceduar për zjarrvënie.

“Ka pasur shumë raste nga të cilat 95 për qind kanë qenë të qëllimshme. Ky është një problem i madh sepse në shumicën e rasteve nuk gjenden autorët”, deklaron Fatmir Brazhda, nga Drejtoria Rajonale e Zonave të Mbrojtura.

Top Channel bëri një vëzhgim të situatës për të gjykuar nëse funksionojnë të gjitha hallkat e zinxhirit. Nga 15 procedime që ka nisur policia për zjarrvënie, gjatë këtij viti, në Gjykatën e Elbasanit kanë mbërritur vetëm 2 çështje.

Pas zjarreve dhe mosndëshkimit të fajtorëve në masën më të madhe, në vjeshtë dëmtimet në pyje kanë vijuar me prerjet pa kriter. Për vitin 2017 janë proceduar 25 persona për prerje të paligjshme. Por në gjykatë kanë mbërritur vetëm 3 raste.

Të gjitha çështjet e tjera kanë mbetur në prokurori, e cila i ka mbyllur për arsye të ndryshme. Shifrat nuk përfshijnë zonat e mbrojtura, në të cilat dëmtimet përbëjnë direkt vepër penale dhe dërgohen në prokurori.

“Në të shumtën e rasteve prokuroria dhe gjykata nuk na informojnë me procedurat që ndiqen, nëse të dyshuarit lihen të lirë, apo nëse nuk ka argumenta e prova. Gjithashtu nuk na informojnë në lidhje me dëmin që shkaktohet ndaj pyjeve si nga zjarri, ashtu dhe prerjet e paligjshme”, thotë Brazhda.

Megjithë ashpërsimin e ligjeve për dëmtimet e mëdha që po i shkaktohen mjedisit, moszbatimi i tyre ka bërë që situata të mbetet e njëjtë.

Top Channel