Atletico mposht “in extremis” Deportivon, i shkëputet Realit

04/11/2017 18:32

Në pritje të ndeshjes së darkës, mes Barcelonës dhe Sevillës, katalanasve po u shfaqen dy kundërshtarë “të rinj” në kampionatin e sivjetshëm të La Ligës.

Ndryshe nga çfarë ka ndodhur në sezonet e fundit, kur kreu i renditjes dominohej nga dyshja Real-Barça, pas 11 javësh të luajtura deri më tani, ende jo e kompletuar kjo fundjavë, janë Valencia dhe Atletico Madrid, skuadrat që i janë afruar ndjeshëm “blaugrana”-ve.

Valencia mposhti 3-0 Leganesin në ndeshjen e mesditës, ndërsa Atletico e Simeones siguroi me vështirësi 3 pikët e radhës në kampionat, kur iu fal këmbëve të Thomas në minutën e parë shtesë, për të mposhtur 0-1 Deportivo La Corunën në “Riazor”.

Madrilenët “e vegjël” janë 4 pikë larg Barcelonës, por numërojnë 3 më shumë sesa Reali që duhet të zhvillojë ndeshjen e tij ndaj Las Palmasit ditën e diel.

Ajo që bie në sy në La Liga është se 3 ekipet kryesuese nuk njohin ende humbje, ndërsa “Los Blancos”-it kanë humbur në dy 90-minutësha deri më tani, duke mbetur në vendin e fundit që të siguron kualifikimin në Champions edicionin e ardhshëm.

Top Channel