Disiplina dënon Flamurtarin, 4 ndeshje pa tifozë

27/10/2017 16:52

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit dënoi Flamurtarin me 4 ndeshje pa spektatorë në stadiumin e tij, për shkak të incidenteve në sfidën e fundit të zhvilluar në Vlorë.

Formacioni bregdetar është penalizuar për shkak të sjelljes së tifozëve në përballjen e fundit që kuqezinjtë fituan 1-0 ndaj Kamzës.
Në arsyetimin e FSHF nënvizohet se tifozët vlonjatë kanë përdorur parrulla e shprehje ofenduese e duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës.

Si rrjedhojë dënimi prej 4 ndeshjesh bazohet në rregullore, edhe pse kjo ka ngjallur protestat e klubit të kategorisë Superiore. Flamurtari është dënuar gjithashtu me një gjobë 100 mijë Lekë.

Përballjen e radhës vlonjatët do ta luajnë të dielën në kryeqytet ndaj Partizanit. Ndeshja e parë të cilën bregdetarët do vuajnë pezullimin, do jetë ajo ndaj Kukësit, në Vlorë por pa tifozë.

Komisioni i Disiplinës Sportive në FSHF ka marrë edhe vendime për raste të tjera të diskutueshme në futbollin shqiptar. Mes tyre, spikat edhe paralajmërimi i zyrtarit të klubit durrsak të Teutës, Klodian Dervishi, me përshkallëzim të masës disiplinore në rast se përsëriten sjelljet antisportive ndaj zyrtarëve të ndeshjeve.

Vendimet e tjera kanë të bëjnë me skuadrat e kategorive më të ulëta të futbollit shqiptar. Njëri prej tyre është ai që lidhet me ndeshjen e Kategorisë së Dytë, mes Skraparit dhe Elbasanit, ndeshje e ndërprerë në minutën e 70 kur rezultati ishte 0-1 në favor të miqve.

Lojtari Jurgen Goro i skraparllinjve është dënuar me 2 vite pezullim nga çdo aktivitet futbollistik, si dhe një gjobë prej 200 mijë lekësh, për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes. Ndërsa klubi i Skraparit, për shkak të shkeljeve disiplinore të lojtarit në fjalë, që sollën ndërprerjen përfundimtare të takimit, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë 0-3, si dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve pa tifozë.

Top Channel