Manaj huazohet te Granada në Spanjë

29/08/2017 00:00

Operacioni i dytë në dalje në sulmin e Interit përfshin futbollistin shqiptar, Rey Manaj. Pasi sistemoi malazezin Jovetiç te Monako, skuadra zikaltër ka huazuar edhe talentin e kombëtares kuqezi në kampionatin spanjoll të futbollit, duke e sistemuar përkohësisht te Granada, në “Segunda Division” apo “La Liga 2”.

Akordi mes ekipit iberik dhe formacionit nga “San Siro” u arrit në bazën e një huazimi me të drejtë rikthimi në fund të sezonit tek Inter, klauzolë që lë të kuptohet se zikaltrit nuk duan të privohen përfundimisht nga futbollisti i Shpresave të Shqipërisë.

Rey Manaj u lançua në futbollin profesionist me Cremonesen, ndërsa në vitin 2015 firmosi zyrtarisht me Interin. Hapësirat e pakta në një skuadër pretendente e detyruan të huazohet pa sukses te Pescara dhe Pisa, ekipe me të cilat shënoi nga dy gola.

Huazimi i tretë i Rey Manajt formalizohet në Spanjë, në një skuadër modeste si Granada, me formacionin andaluzian që ra nga “La Liga” sezonin e kaluar dhe synon të rikthehet brenda 9 muajve.

Top Channel