Nesër hapet bulevardi i ri, në funksion parkimi i dytë nëntokësor

19/06/2017 00:00

Hapet të martën segmenti i parë i bulevardit të ri si dhe parkingu i dytë nëntokësor në kryeqytet me 328 vendparkime. Bulevardi i ri ka një gjerësi prej 70 metrash.

“Është ndoshta bulevardi më i gjerë në Europë, me korsi biçikletash, me dy korsi makinash në një kah, me trotuare për këmbësorë, shumë gjelbërim dhe i parashikuar në të ardhmen edhe për kalimin e një trami apo treni të lehtë që kalon në qytet”, tha Arbër Mazniku, nënkryetar i bashkisë.

Ky segment i parë hapet pasi shërben për futjen dhe daljen e makinave nga parkingu, ndërkohë që po punohet në mënyrë intensive edhe për pjesën e dytë.

“Segmenti i dytë pritet të përfundojë në 6 mujorin e parë të vitit tjetër dhe në fund të viti të përfundojë i gjithë deri  ku takohet me lumin dhe lidhet me unazën, që planifikohen për një të ardhme”, thotë Mazniku.

I gjithë bulevardi është parashikuar të ketë një gjatësi prej 1.9 km , me një kosto prej 27 milion euro. Ndërkohë që për 400 metrat e parë, përfshirë dhe parkingun, janë shpenzuar rreth 7 milionë euro.

“Investitorët mund të shikojnë tani se si do të shndërrohet kjo zonë dhe të planifikojnë investimet e tyre”, shprehet nënkryetari i Bashkisë.

Është planifikuar që parkingu nëntokësor të mund të shlyejë veten për 4 vite.

Top Channel