Fast and Furious, premiera më e madhe globale

16/04/2017 00:00

“The Fate of the Furious”, ka kaluar vijën e finishit të dielën, si premiera më e madhe globale në historinë e filmave.

Filmi i tetë i serisë “Fast and Furious”, ku mes emrave të aktorëve figurojnë edhe tre shqiptarë, Erigerta Deda, Erand Hoxha dhe Marko Caka, ka mbledhur rreth 532.5 milionë dollarë në premierën e tij botërore këtë fundjavë, sipas studios Universal Pictures.

Shifra lë pas rekordin e mbajtur nga filmi i Disney, “Star Wars: The Force Awakens,” që mblodhi në fundjavën e parë të shfaqjes së tij në 2015-ën 529 milionë dollarë.

Sidoqoftë, Force Awakens, nuk pati fatin të shfaqej në tregun e dytë më të madh të botës, në Kinë, ku mbërriti thuajse një muaj me vonesë. The Fate of the Furious, u shfaq këtë fundjavë në Amerikën e Veriut dhe në 63 vende të tjera të botës, përfshirë Kinën, Britaninë e Madhe dhe Meksikën.

Vetëm në SHBA, Fate of the Furious mblodhi rreth 100.2 milionë dollarë gjatë fundjavës. Shifrat përfundimtare do të mbërrijnë të hënën dhe mund edhe të ndryshojnë, por për momentin Fate of the Furious, thyen çdo rekord.

E fundjava që kapërceu çdo parashikim, është një lajm i mirë për serinë 16 vjecare. Universal  ka paralajmëruar ndërkaq edhe një episod të nëntë dhe të dhjetë për vitet 2019 dhe 2021.

Top Channel