Vettingu, mbeten 79 emra; Kuvendi mbyll derën për kandidatë të rinj

16/03/2017 00:00

Dhjetë ditë pasi vendosi të rihapë garën për kandidatë të rinj për procesin e Vettingut, Parlamenti e shfuqizoi këtë vendim.

Vendimi, që hyri papritur në rendin e ditës së Parlamentit do të thotë se Avokati i Popullit tani do të fokusohet vetëm tek dosjet ekzistuese të 79 kandidatëve, që sipas ONM-së përmbushin kriteret formale, por iu mungon ndonjë certifikatë për të provuar atë që shkruajnë në CV.

Top Channel mësoi se Avokati i Popullit i kishte bërë rezistencë Kuvendit për vendimin e rihapjes së garës, duke e quajtur atë antikushtetuese, një fakt që e provon edhe dokumenti i hartuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Në shpjegimin që bën për deputetët, zoti Xhafaj thotë se shfuqizimi i vendimit për rihapjen e garës për organet e Vettingut është rezultat i kërkesës së paraqitur në Kuvend të mërkurën nga Avokati i Popullit.

Tani, në kushtet kur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kualifikuar vetëm 21 kandidatë për 27 vende, shpresa e vetme që procesi të mos ketë komplikacione të tjera është që disa nga 79 kandidatët e vlerësuar pozitivisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë të paraqesin dokumentat që u mungojnë për kualifikimin përfundimtar.

Top Channel