Muze me armët e ushtrisë shqiptare

27/11/2016 00:00

Armë që datojnë nga viti 1400, por edhe mjete tokësore e ajrore të Forcave të Armatosura ndër vite, janë ekspozuar në pritje të vizitorëve në ambientet e ish-Shkollës së Bashkuar, sot Ministria e Mbrojtjes.

Përgjegjësi Asllan Zemani shpjegon se, Muzeu i Forcave të Armatosura është konceptuar në dy periudha: e para që daton nga viti 1400 deri në 1900-n, ndërsa e dyta nga viti 1940 deri në 1990-n.

Për shkak të shumëllojshmërisë së armëve, municioneve, pajisjeve, mjeteve motorike dhe çdolloj pajisjeje tjetër që është përdorur nga ushtria, ky muze është konceptuar me dy ambiente.

“Muzeu është i përbërë nga dy pjesë, ai i brendshëm dhe ai i jashtëm. Në këtë të fundit janë vendosur armatime të ndryshme, duke përfshirë helikopterët, armatimet e rënda, topa të kalibrave të ndryshëm, të cilat janë përdorur në periudha të ndryshme nga ushtria shqiptare”, thotë Asllan Zemani, përgjegjësi i muzeut.

Për festat e shpalljes së Pavarësisë dhe Çlirimit, më 28 dhe 29 nëntor, për herë të parë ky muze do të jetë i hapur për këdo që do ta vizitojë.

“Më 28-29 nëntor muzeu është i hapur duke filluar nga ora 9 e mëngjesit e deri në orën 14, sikurse dhe pasdite. Ai mirëpret vizitorë të ndryshëm dhe të shumëllojshëm, pavarësisht nga mosha apo profesioni”, shtoi më tej Asllan Zemani.

Top Channel