Qendër e re shëndetësore për 6 mijë banorë të Divjakës

26/11/2016 00:00

Nga sot, afro 6 mijë banorë të Gradishtës në Bashkinë e Divjakës do të mund të marrin shërbimin shëndetësor parësor pranë zonës së tyre të banimit.

Në sajë të bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë, Shoqatës “GjysmëHëna e Kuqe” dhe Bashkisë së Divjakës, u bë i mundur ndërtimi i një qendre shëndetësore bashkëkohore.

Të pranishëm në ceremoninë e përurimit të qendrës ishin ministri i Shëndetësisë,  Ilir Beqaj, kryetari i Bashkisë Divjakë,  Fredi Kokoneshi, Drejtori i shoqatës “GjsmëHëna e Kuqe”,  Hamad Ben Abdennabi, si dhe banorë të zonës.

Në fjalën e tij, ministri Beqaj u shpreh se për banorët e Gradishtës kjo është një ditë e shënuar, duke theksuar se sa më pranë të vijmë tek qytetarët me infrastrukturë, aq më mirë arrijmë t’ju shërbejmë atyre. Ndërsa kryetari i Bashkisë e cilësoi qendrën shëndetësore  moderne dhe të  plotësuar me të gjitha pajisjet e nevojshme. Drejtori i shoqatës “GjysmëHëna e Kuqe” tha se se organizata që ai drejton do të vijojë të mbështesë projekte të tilla edhe në të ardhmen.

Qendra shëndetësore, e cila kushtoi rreth 45 milionë lekë, është e pajisur me dhomat e konsultorit të nënës dhe fëmijës, e cila siguron mbulimin me vaksinim të afro 900 fëmijëve, si dhe vizitat e grave shtatzënë, duke u dhënë atyre ndihmën dhe informacionin e duhur. Kjo qendër shëndetësore është e pajisur me dhomën e injeksioneve dhe ndihmës së parë e kompletuar me pajisjet e reja. Në shërbim të banorëve të kësaj zone do të jenë 2 mjekë dhe 7 infermierë.

Top Channel