Mediat sociale, si Facebook apo Twitter, po ndryshojnë komunikimin e emergjencave, nëse bëhet fjalë për një uragan, tërmet apo një sulm terrorist, dhe shpesh janë i vetmi kanal komunikimi që mbijeton dhe i pari që informon. Kështu bën të ditur në një studim të tij Universiteti i Ben Gurion.

Një numër i madh i të dhënave mbi situatat emergjente në botë janë publikuar në fakt në Twitter, si sulmet terroriste në vitin 2013, bomba në maratonën e Bostonit dhe sulmi në Westgate në Nairobi. “Në gjashtë vitet e fundit mediat sociale kanë marrë një rol të rëndësishëm si kanal kryesor i komunikimit në situata emergjente”, thotë Tomer Simon, një prej studiuesve.

Rrjetet sociale ofrojnë mundësinë e reagimit dhe diskutimit të njerëzve në rastet e emergjencave, duke dhënë informacione të rëndësishme. Publiku është i parë që i përshtat mediat sociale në mënyrë inovative dhe sipas nevojave.

Janë identifikuar katër lloj të rinj përdoruesish në katastrofa: inovatorët, që përmirësojnë dhe rregullojnë median sociale për rrethana të veçanta; reaguesit, që kërkojnë të përgjigjen dhe të asistojnë në zonën e goditur, duke dhënë informacion në Facebook dhe Twitter. Kategoria e tretë janë të përgatiturit, ata që përdorin rregullisht rrjetet sociale dhe rrisin praninë e tyre gjatë katastrofave; dhe të fundit janë proaktivët, përdorues dhe organizata emergjencash që përdorin median sociale për të promovuar përgatitjet gjatë rutinës dhe në raste emergjence i përdorin si avantazh.

“Pavarësisht llojit të emergjencës, rrugët e komunikimit mbingarkohen për shkak të shumë personave që dëshirojnë të kenë akses në informacion. Në një rast emergjence publiku është përballë një sasie të madhe informacione, me rrezikun se edhe mund të dezinformohet. Megjithatë përdoruesit janë mjaft të shpejtë për të korrigjuar gabimet, dhe kjo e bën median sociale vetërregulluese”, ka theksuar Simon.

Top Channel