Hashim Thaçi mbështet vizitën e Ramës

17/10/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi mbështet Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për vizitën e planifikuar javën e ardhshme në Beograd.

“Ballkani Perëndimor ka hyrë në fazën e pakthyeshme të integrimeve Euro-Atlantike, që qëllim parësor kanë përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Derisa ende dëgjojmë gjuhë të urrejtjes dhe provokime që vijnë nga hijet e të kaluarës së hidhur, progresi i arritur me Marrëveshjen e Brukselit ka mbyllur kapitullin e luftës dhe ndryshimit të kufinjëve”, shkruan Thaçi në faqen e tij në Facebook.

Ndaj, thotë ai, dialogu me fqinjët, mirëkuptimi për ballafaqim me trashëgiminë e të së kaluarës dhe fokusi i pandërprerë në plotësimin e kritereve Euro-Atlantike, duhen të jenë shtylla kryesore të shteteve tona.

Thaçi shton se “Kryeministri Edi Rama përfaqëson një shtet anëtar të NATO-s që kurrë nuk do të lejojë rrezikimin e shqiptarëve në Ballkan. Prandaj edhe nuk ka arsye të frikësohet nga dialogu dhe vizita tek fqinjët. Vizita në Beograd është e rëndësishme për Shqipërinë, Kosovën, Luginën e Preshevës dhe tërë rajonin. Për më tepër, synimet tona afatgjata janë integrimet e shqiptarëve në familjen europiane”, shkruan Hashim Thaci.

Top Channel