Brace: PD, sulm te eger ndaj prokurorise

13/09/2014 00:00

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Brace ka denoncuar pasditen e së shtunës në profilin e tij në rrjetin social Facebook një “sulm të përbindshëm” që po bëhet sipas tij nga elementët kryesorë të opozitës kundër institucioneve që po hetojnë skandalin në Bankën e Shqipërisë.

Në postimin e tij, kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, si dhe anëtarë të tjerë të saj, se po pengojnë zbardhjen e së vërtetës të vjedhjes nga thesari i shtetit.

“Ka një sulm të përbindshëm kundër Prokurorisë dhe publikut!! Prej së enjtes në mbrëmje, “klani i pasanikeve të medias” dhe me tej Sali Berisha, Lulëzim Basha dhe Partia Demokratike po sulmojnë egërsisht prokurorin e cështjes së vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, oficerët në ndihmë të tij dhe prokurorinë si institucion, për hetimin dhe vendimet e marra e të ekzekutuara në funksion të këtij hetimi dhe në përputhje me ligjin!!

Sulmi nuk është i pashembullt! Jo! Sulmi e ka një shembull: hetimin për 21 janarin, urdhër-arrestet për vrasësit e Gardës së Republikës dhe prokuroren e përgjithshme që ishte në krye të atij hetimI!!

Berisha dhe “klani i pasanikëve të medias” duan ta mbyllin hetimin këtu!! Nuk duan të hetohet më tej për guvernatorin e bankës dhe përgjegjësit e tjerë nën urdhërat e tij! (Kështu ka funksionuar ai institucion)

Madje, e duan të lirë që të hënën guvernatorin e lobit ekonomik të tyre, ndryshe janë në mëshirë të hetimeve, por mbi të gjitha janë në mëshirë të rregullave të qarta të bankave ku janë klientë!

Por mbi të gjitha këta nuk duan të hetohet mekanizmi i vjedhjes, nuk duan të hetohet përmasa e vërtetë e vjedhjes, nuk duan të hetohet fakti tejet i rëndësishëm i destinacionit të parave dhe në fund, nuk duan të hetohet fare se si kanë hyrë në qarkullim këto para!!

Ky është i gjithi krim!! Po, po. Sali Berisha, Lulëzim Basha, PD dhe klani i pasunarëve të medias po konsumojnë një krim duke penguar me dhunë politike dhe mediatike hetimet!!

Vjedhja në Bankë nuk është politike!! Është thjesht një akt kriminal, më i rëndi i ndodhur ndonjëherë në Bankën e Shqipërisë. Hetimi i një akti të tillë kriminal është punë vetëm e Prokurorisë, kërkujt tjetër!!

Sali Berisha është një kriminel, por kurrë nuk mund të jetë hetues!! “Klani i pasanikëve të medias” është rrethi ekonomik, përfitues e shoqëror i ish-guvernatorit, por kurrë nuk mund të jenë hetues!!

Në anën tjetër, Berisha, Basha, PD dhe “klani i pasanikëve të medias” po kërcënojnë publikun dhe interesat e tij. Ky është një tjetër krim dhe ky djeg edhe më shumë ata të parët!!

Unë nuk e di c’do vendosë të hënën Gjykata e Apelit në Tiranë. Unë nuk kam besim tek ajo!! Por e di shumë mirë se ky soj horrash të pasur e të rrezikshëm, me pushtet politik, ekonomik, mediatik dhe kriminal, nuk kanë frikë as nga prokuroria, as nga gjykata e as nga kërkush tjetër.

Këta kanë frikë vetëm nga populli!! Këta kanë frikë nga ju, juve nuk kanë c’tju bëjnë!! Vecanërisht tani që nuk kanë më në dorë pushkët e pushtetit!!

Ju mund t’i mundni!! Duke filluar që tani e deri të hënën njëherë jepini përkrahje prokurorisë e kërkojini gjykatës të bëjë drejtësi!! Bëjini këta kriminelë të pazëshëm e të padëgjueshëm!! Shurdhojini në hapësirat e tyre!!”, thotë Brace.

Top Channel