Asnjë shans për marrëveshje

06/09/2014 00:00

Liderët e dy subjekteve më të mëdha politike në Kosovë, PDK-së dhe LDK-së, kanë rikonfirmuar qëndrimet e palëkundura të tyre për formimin e institucioneve të reja.

Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi ka mbledhur të shtunën në një takim kryetarët e degëve të partisë së tij, ku ka vlerësuar se në asnjë mënyrë nuk do të heqë dorë nga besimi që ka marrë për të qeverisur me vendin, nëpërmjet votës së lirë në zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Përmes një komunikate për media të lëshuar pas takimit, PDK ka vlerësuar se qasja e bllokut pas zgjedhor, edhe pas vendimeve përkatëse të Gjykatës Kushtetuese, është qasje e papranueshme dhe anti-kushtetuese.

Sipas PDK-së, blloku pas zgjedhor po tenton të tjetërsojë rezultatin zgjedhor dhe të mbajë peng shtetin, duke bllokuar themelimin e institucioneve demokratike.

Por subjektet e bllokut pas zgjedhor vazhdojnë të besojnë në të drejtën e tyre, ndërsa nuk pranojnë as të negociojnë me PDK-në e Thaçit për daljen nga kriza. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është shprehur i bindur se koalicioni LDK, AAK dhe Nisma nuk do të prishet, por në situatën që ndodhemi, sipas tij, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje.

Edhe në këtë rast, Mustafa është shprehur i sigurt se koalicioni LAN do të fitojë. Përmes një deklarate në Facebook, lideri i LDK-së ka thënë se PDK me partitë e koalicionit ka dëshmuar se e ka shumicën dhe sipas tij, ajo do ta shfrytëzojë rastin edhe në seancën e 12 shtatorit për ta provuar këtë.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve mes blloqeve politike, diplomatët perëndimorë të akredituar në Prishtinë nuk kanë dhënë ende ndonjë shenjë se do të ndërhynë për të parandaluar thellimin e krizës politike.

Ambasadorja amerikane, Tracey Jackobson, që ndodhet ende me pushime në vendlindje, ka thënë në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se ngërçi politik në Kosovë duhet të zgjidhet nga vetë forcat politike dhe jo me ndihmën e shteteve të tjera.

Jackobson ka deklaruar se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese shpreson që udhëheqësit politikë do të veprojnë me shpejtësi për të krijuar Parlamentin, që të kalohet pastaj në formimin e qeverisë.

Diplomatja amerikane ka thënë se nuk u takon ndërkombëtarëve që të thonë se si duhet të vazhdojë procesi, ose se si do të ndahen postet, por ka shtuar se interesat strategjike të përbashkëta me Kosovën janë që duhet Parlamenti dhe Qeveria.

Top Channel