Sezoni i ri Turistik i Sarandës

06/05/2014 00:00

“Unë sapo kisha mbaruar pushimet në qytetin e Sarandës, duke eksploruar kështu dhe zonën  antike të Butrintit. Duke pritur tragetin për në Korfuz po shëtisja rrugën që të çon drejt portit.

Aty më ndaluan një grup me të rinj, të cilët po më kërkonin të holla, por ishin aq shumë saqë u ndjeva në siklet. Por teksa grupi pa se po vinin dhe njerëz të tjerë pas meje (pamja e të cilëve “premtonte” më shumë se e imja në fakt), gjeta shansin për t’u shmangur me stil. Ky ishte momenti kur unë takova një djalë. Në fakt shqipja ime linte për të dëshiruar, por kjo nuk na pengojë që të komunikonim me mimike. Pasi i shkrepa një foto , i dhashë disa të holla si edhe një pako me çimçakiza. Në fakt për çudinë time ai i refuzoi lekët, por çimçakizat i pranoi me qejf. Ndërkaq unë u largova prej aty sepse më nisej trageti, por syri arriti të më kapte fytyrën e qeshur të djaloshit. Kjo i përket vitit 1992, tashmë ai duhet të jetë një djalë i rritur rreth të tridhjetave. Herë pas here pyes veten se si jeta e tij do ketë ndryshuar në Europën e re. Nuk na ndodh të dëgjojmë shpesh nga Shqipëria!”

Ky ishte kujtimi i një turisteje, e cila e kujton Sarandën 23 vite më parë, me detaje të cilat vijnë sot. Por për Sarandën e sotme më mirë se çdo kush do të fliste kryetari i kësaj Bashkie, Stefan Çipa, i cili ndodhet në Prishtinë për të përcjellë ofertat turistike për këtë sezon vere.

Zoti Çipa ka folur në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për hapjen e sezonit turistik ditën e premte, me “festën tradicionale të midhjes”. Gjithashtu ai ka folur edhe për ndryshimet që ‘perla e jugut’ ka pësuar këtë vit dhe për risitë që do të sjellë për pushuesit e shumtë si vendas ashtu edhe të huaj.

Pandi Gjata: Të flasësh për Sarandën, por nga Prishtina kjo e ka mesazhin pasi ju ndodheni atje për të përcjellë ofertat e Sarandës për sezonin e ri turistik, apo jo?

Stefan Çipa: Unë ndodhem në Prishtinë me një grup biznesmenësh të fushave të ndryshme për një vizitë promocionale, në kuadër të bashkëpunimit që një sërë qytetesh nga Shqipëria po bëjnë në qytetet e Kosovës. Edhe ambasadori ynë në Prishtinë ka shfaqur një interes të madh në këmbimin e këtyre përvojave. Nesër në Prishtinë është dita e Sarandës, në kuadër të fillimit të sezonit të ri turistik, për shkëmbim përvojash jo vetëm në turizëm, por edhe në fusha të tjera.

Pandi Gjata: Cfarë ofron Saranda në këtë sezon të ri turistik që do të çelet këtë të premte? Pse shqiptarët e Kosovës duhet të vijnë të pushojnë këtë verë në Sarandë?  

Stefan Çipa: Ne çelim sezonin e ri më datë 9 Majë. Saranda këtë vit është më e përgatitur se kurrë për të pritur një fluks të shtuar turistësh. Ka disa risi të tjera që qyteti ofron këtë vit, janë shtuar sipërfaqet e gjelbërta, ka përmirësime të ndjeshme në infrastrukturën turistike. Qyteti ka 119 asete arkeologjike, të cilat do të jenë më të frekuentuara këtë vit falë edhe infrastrukturës, por edhe mbështetjes që kemi marrë nga Ministria e Turizmit dhe qeveria ‘Rama’. Do të ketë përmirësime të ndjeshme të furnizimit me ujë, ushqimet do të jenë bio dhe me çmime konkurruese. Këtë vit nuk do të ketë ujëra të ndotura sepse ka filluar impianti i përpunimit të këtyre ujërave, do të ketë plazhe publike me sipërfaqe të shtuara. E gjithë sipërfaqja që është në Gjirin e Sarandës, nga Butrinti e deri tek porti do të jenë plazhe publike të administruara nga Bashkia. Vitin e kaluar kemi pasur rreth 500 mijë vizitorë, këtë vit parashikojmë të kemi rreth 20% rritje, kjo garantohet nga prenotimet në agjencitë turistike. Vendin e parë të turistëve që vizitojnë Sarandën e zënë ata nga Kosova dhe veçanërisht nga Prishtina, prandaj ndodhem sot në këtë takim.

Pandi Gjata: Besoj i drejtoheni jo vetëm shqiptarëve të Kosovës, por edhe atyre të Maqedonisë, si edhe emigrantëve, apo jo?

Stefan Çipa: Slogani i këtij viti turistik do të jetë “Destinacioni juaj Saranda jonë”. Tek ne vihet si vizitor dhe largohesh si mik. Agjencitë turistike kanë filluar promocionet turistike. Vizitorët e huaj kanë filluar të vijnë në Sarandë. Isha në një takim me të ngarkuarin e Ambasadës suedeze, më 26 Maji do të vijnë me charter nga Stokholmi 90 turistët e parë, por më 23 Shtator do të jenë 900 turistë që do të vijnë nga Suedia edhe nga Polonie e Çekia. Këtë vit sezoni do të ketë një veçanti, ne kemi marrë masat që turistët që do të vijnë të jenë disa ditorë. Këtë fundjavë ne kemi ftuar nxënës të shkollave të mesme të Kosovës, të Shqipërisë, vizitorë të ndryshëm, të cilët do të shohin ndryshimet e Sarandës. I ftoj të gjithë qytetarët të frekuentojnë Sarandën këtë fundjavë dhe gjithë sezonit pasi do të ngelen të kënaqur.

Top Channel