Harito: Reforma në administratë sipas ligjit

25/11/2013 00:00

Reforma në administratën publike do të bëhet sipas parashikimeve në ligj. Ministrja e Inovacionit, Milena Harito duke folur për këtë cështje gjatë një takimi të zhvilluar të hënën në kryeqytet, theksoi vendosmërinë e qeverisë për transformimin e administratës publike dhe në përputhje me ligjet e vendit.

I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili lidhur me temën tha se administrata duhet të jetë larg politikës. Sipas Sequit reforma në administratë ka një rol mjaft të rëndësishëm në një shtet demokratik.

“Interesi rreth kësaj çështjeje është mjaft i madh. Kolegët në Bruksel do të jenë mjaft të angazhuar me reformën në administratën publike. Reforma ka një rëndësi shumë të madhe për cilësinë e shërbimeve para qytetarëve dhe administrata publike duhet të jetë e qëndrueshme, e paanshme dhe e papolitizuar”, tha Sequi.

Sipas ambasadorit Sequi dialogu është një pikë kyçe në lidhje me reformën e administratës. Ndërkohë që ai vuri theksin edhe tek transparenca gjatë këtij procesi. 

Top Channel