Bixhozi i lidhur me politikën e krimin

25/10/2013 00:00

Qeveria shqiptare intesifikon përpjekjet për t’i dhënë fund epidemisë së
lojërave të fatit dhe basteve në të gjithë territorin e vendit, duke u
shndërruar jo vetëm në një problem fiskal e kriminal, por edhe në një
plagë të madhe sociale për shoqërinë.

Si një industri kriminale, e cila ka lulëzuar falë mbështetjes politike nën hundën e policisë që heton krimin ekonomik. Ky ishte konstatimi Kryeministrit Rama gjatë në konference për shtyp, qëllimi së cilës ishte dërgimi një mesazhi të fortë, se Qeveria është e vendosur ta çojë deri në fund këtë betejë për të frenuar evazionin fiskal, krimin ordiner dhe mbi të gjitha degradimin e shoqërise si pasojë e këtij fenomeni masiv.

“Ne jemi jo vetëm të vendosur, por dhe jemi shumë të qartë për shtrirjen e këtij aktiviteti për lidhjet që ky aktivitet ka patur dhe vazhdon të ruajë me politikën, për mbështetjen që ky aktivitet ka gjetur deri në të shkuarën në shumë të afërt dhe për mbulimin që ka siguruar falë korruptimit të politikës dhe të gjithë zinxhirët e krimit ekonomik në Policinë e Shtetit”, tha Rama.

Krahas nisjes së një reforme ligjore për këtë sektor, Kryeministri njoftoi edhe nismën më të re të Qeverisë për bllokimin e aksesit per vendosjen e basteve nëpërmjet internetit.

“Kemi marrë vendimin që përmes ministres së Inovacionit të kërkojmë bllokimin e të gjithë ëebsite-ve. Shuma që shqiptarët humbasin në aventurën e basteve online në destinacione jashtë Shqipërisë, brenda një viti varion nga 500 në 700 milionë dollarë”, tha Rama.

Kryeministri dha sqarime se çfarë do të ndodhë me ata të cilët kanë zbatuar rregullat gjatë ushtrimit të këtij biznesi.

“Po punojmë dhe për një strategji daljeje për të gjithë ata që në këtë aktivitet janë të licensuar dhe këtë aktivitet e ushtrojnë brenda kufijve të ligjit ekzistues. Strategji daljeje, do të thotë me fjalë të tjera, që ky nuk mund të jetë as legalisht një aktivitet i të ardhmes së këtij vendi. E ardhmja e këtij vendi nuk mundet të ketë të përbashkët me bixhozin”, tha Rama.

Shefi i Qeverisë shqiptare deklaroi se nuk jemi thjesht në një sezon aksioni për këtë çështje, por theksoi se ajo që ka nisur do t’i shkohet deri në fund.

Top Channel