Bashkiakët përplasen me tregtarët

18/10/2013 00:00

Tregtarët tek ish-Uzina Dinamo u përplasën sërish gjatë orëve të mbrëmjes me Policinë Bashkiake të Tiranës, e cila tentoi të prishë një konstruksion metalik, sipas saj të paligjshëm brenda këtij territori.

Por, tregtarët nuk e lejuan ekzekutimin e vendimit, si gjatë ditës, ashtu edhe pak çaste më parë. Në të dyja rastet u desh ndërhyrja e Policisë së Shtetit për të ndaluar aksionin dhe për të qetësuar situatën.

Janë shoqëruar në polici persona nga të dyja palët, ndërsa përfaqësues të tregtarëve, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë mjedis, flasin për shoqërimin në polici edhe të Florenc Hoxhës, kreut të Inspektoriatit Ndërtimor të Tiranës, por kjo nuk konfirmohet zyrtarisht nga drejtuesit e Policisë së Tiranës.

Tregtarët kundërshtojnë prishjen e objektit, duke pretenduar se investimet e bëra në këtë treg janë të ligjshme. Por, nga ana tjetër, Inspektoriati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës tha gjatë ditës se tregtarët kanë kryer ndërtime në mënyrë të paligjshme, me prendimimin se po riparojnë strukturën e objektit.

Zoti Hoxha u shpreh i vendosur se Policia Bashkiake do të ndërhyjë për prishjen e këtij konstruksioni, ndaj dhe bashkiakët e ripërsëritën në mbrëmje aksionin, por që nuk mundën ta finalizonin, pasi tregtarët kundërshtuan sërish.

Detaje priten të mësohen gjatë ditës së nesërme për këtë ngjarje, por edhe rreth shoqërimit të Florenc Hoxhës në polici.

Top Channel