Të gjithë drejtorët aktualë të policisë u shkarkuan paraditen e së
mërkurës. Propozimi i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe firma e
Drejtorit të Pergjithshëm të Policisë Hysni Burgaj, ka dërguar të gjithë
drejtuesit e policisë në rolin e specialistëve në sektorin e Studimeve
Policore, apo edhe ne rolin e instruktoreve ne Sektorin e Programeve në
Akademinë e Policisë.

Nendrejtoret e pergjithshem Vocaj, Rrumbullaku jane zevendesuar me Sokol Bizhgen dhe Altin Qaton. Ne listen e te shkarkuarve jane te gjithe policet te perfolur gjate muajt e fundit, si Nikolin Bala, Gjergj Jorgo, Mërgim Hoxha, Pëllumb Seferi e të tjerë, të gjithë drejtues te qarqeve te rendesishme te vendit.

Furtuna e nisur nga ministri i Brendshem, Tahiri ka perfshire çdo drejtues ne polici qe mban graden e larte te drejtuesit te pare. Largimi i te gjithe drejtuesve me te larte te policise qe mbajne njekohesisht edhe gradat me te larta ne keto struktura, ndodh per te paren here.

Nderkohe qe ne listen e te ardhurve ne drejtimit e rendit dhe sigurise publike ka emra te policieve te ripranuar ne polici, te cilet kane mbajtur postet kyçe, perpara vitit 2005. Niko Brahimaj, Neritan Nallbati, Edmond Targaj, Perlat Çullhaj dhe Shaban Nexhi. Nderkohe qe ne poste kryesore te policise jane vendosur edhe Ardian Çipa, si drejtor i Policise Tirane, Ervin Hodaj ne Fier, si edhe Kastriot Skenderaj ne Vlore.

Burimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policise bejne te ditura, se fill pas firmosjes se ketyre urdherave drejtori i Pergjithshem i Policise se Shtetit Hysni Burgaj ka firmosur edhe dorehejqen e tij nga detyra. Propozimi per te zevendesuar ate nga detyra, ka qene ai i Artan Didit, ish-drejtues i forcave speciale ne vend.

Tahiri: Riorganizuam piramidën e policisë
Ministri i Brendshëm: Struktura e re në shërbim të qytetarit

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbajtur një deklaratë për mediat në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, në fokus të të cilës kanë qenë ndryshimet në Policinë e Shtetit.

Tahiri ka deklaruar se pas largimit të Burgaj dhe vartësve të tij ai vetë ka firmosur emrat e drejtuesve të rinj, veprim që do të përvijojë me fazat e tjera të reformës piramidale të Policisë së Shtetit.

“Theksoj se sot, përtej emrave ka diçka më të rëndësishme, mbyllja e hapit të parë të reformës së thellë strukturore të policisë. Struktura e re do të ndreqë piramidën strukturore, zinxhirin e komandës dhe shërbimin ndaj qytetarëve”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, në fazën e parë është rregulluar piramida dhe nga 811 funksionarë të policisë në Drejtorinë e Përgjithshme, sot në funksione të koordinimi janë 255 funksionarë.

“Një numër i madh funksionesh policore zbresin nga Drejtoria e Përgjithshme në nivelin e drejtorisë së qarkut. Ata që nuk do të jenë më në Drejtorinë e Përgjithshme do zhvillojnë detyra operacionale”, ka saktësuar Tahiri.

Ministri i Brendshëm ka nënvizuar më tej se reformës do t’i nënshtrohen edhe seksionet e ndryshme policore, përfshirë Shërmbimin e Kontrollit të Brendshëm, me qëllim rritjen e bashkëpunimit mes tyre.

“Ne synojmë ngritjen e shërbimit të unifikuar ndaj qytetarëve, për të shmangur proçedurat burokratike të policisë ndaj qytetarëve”, ka shtuar Tahiri.

Ndër të tjera, zoti Tahiri ka njoftuar gjatë deklaratës për shtyp edhe vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e një taskë force për mbrojtjen e mjedisit dhe territorit.

“Task forca do drejtohet nga Ministria e Brendshme dhe do të ketë në përbërje disa ministri dhe disa institucione. Task forca do ketë si detyrë mbrojtjen e zonave të rëndësisë kombëtare, evidentimin e tyre, miratimin e projekt/planit të përcaktimit të tyre dhe bashkërendimin e punës mes institucioneve. Ajo do të fillojë së shpejti nga puna”, ka shtuar Tahiri. 

Top Channel