Protesta e Ekonomikut do të përshkallëzohet

05/09/2013 00:00

Protestë përpara Bashkisë dhe Kryeministrisë, kallëzim penal në Prokurori, deri te ngritja e çadrave pranë ambientit të mbetur përpara Fakultetit Ekonomik, janë disa nga format e protestës, që studentë dhe pedagogë të tij do të ndërmarrin për të rikthyer territorin e dikurshëm përreth Ekonomikut.

“Ne do të jemi më agresivë me protestat që do të vijnë, do të jemi më të vendosur se kurrë dhe të jeni të bindur që numri do të vijë duke u shtuar. Shumë shpejt do të bëjmë edhe një kallëzim në Prokurori. Çdo qytetar, i cili shkel ligjet e këtij vendi, duhet të mbajë përgjegjësi për çdo veprim të tyre”, tha Pleurat Rexhepi, pedagog i Ekonomikut.

Në ditën e dytë të sezonit të vjeshtës, në këtë Fakultet nuk është zhvilluar asnjë provim, në zbatim të vendimit për bojkot pa afat, ndërsa studentët thonë se kjo është zgjidhja e vetme.

“Absolutisht nuk ndjehemi të penalizuar nga masa e Këshillit të Fakultetit, me këtë që them përfaqësoj edhe një pjesë të mirë të studentëve, duke parë që shumica e tyre janë edhe prezent. Kjo po merr shtrirje edhe me studentë të fakulteteve të tjera” … “Shpesh herë, ka shumë lokale rreth fakultetit që shkaktojnë një zhurmë shumë të lartë, që e penalizon mësimin, duke e bërë të vështirë zhvillimin e orëve, gjithashtu ndikon edhe zhurma e ndërtimeve në procesin e mësimdhënies” … “Ne jemi të revoltuar dhe indinjuar, sepse po ngushtohen hapësirat e një fakulteti me jo më pak se 10 mijë studentë. Kjo gjë do të gjejë një kundërpërgjigje gjithnjë e më të fuqishme ditët në vazhdim”, deklaruan studentë të pranishëm në protestë.

Një ditë më parë, Inspektoriati i Ndërtimit Urbanistik pranë Bashkisë Tiranë bëri publik qëndrimin, që i ka kthyer Fakultetit Ekonomik, ku deklaronte se nuk mund të ndërhynte për këtë ndërtim, pasi ai është në proces gjyqësor.

Por, përfaqësues të këtij Fakulteti deklaruan se kjo është një përgjigje anashkaluese, pasi Bashkia – sipas tyre – nuk është përgjigjur për skadimin e lejes së ndërtimit në 2011, ndërkohë që punimet vijojnë. Ata thonë se kanë marrë mbështetjen e Rektoratit, por ky institucion po rezervohet të bëjë qëndrimin e tij publik.

“Biznesi im është i ligjshëm”
Pronari i ndërtesës tek Ekonomiku: Studentët po keqpërdoren

Administratori i ndërtimit pranë Fakultetit Ekonomik, prej nga pati pikënisjen protesta e këtij fakulteti, i është drejtuar me një letër të hapur stafit pedagogjik dhe studentëve të këtij fakulteti.

Ai shkruan se kjo ndërtesë ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe është konform të gjitha ligjeve në fuqi.

“Trualli, mbi të cilën është ngritur godina polifunksionale, është tokë me pronarë të njohur ligjërisht, disponon një leje ndërtimi të marrë në vitin 2004, ka një vendim gjykate në favor të tij dhe një vendim përmbarimi për rifillimin e punimeve”, argumenton administratori.

Sipas tij, pedagogët dhe studentët po keqpërdoren duke cënuar një biznes të ligjshëm, praktikë që bie ndesh – thotë ai – me parimet e asaj që ata duhet t’u mësojnë sipërmarrësve të ardhshëm.

Ai i fton pedagoget e këtij fakulteti ta shohin problemin përmes një qasjeje tjetër, asaj të komunikimit dhe bashkëpunimit.

“Përgjigja ime më e mirë është ligji dhe vetëm ligji. Po me ligj, ata që do të më dëmtojnë biznesin tim sot, do ta paguajnë me çdo çmim nesër”, shkruan në këtë letër të hapur administratori i ndërtimit pranë Fakultetit Ekonomik.

Top Channel