Aksidentet s’kanë të ndalur

07/08/2013 00:00

Një tjetër aksident rrugor ka përgjakur rrugët e Shqipërisë, duke shkaktuar një tjetër viktimë.

Ngjarja në fjalë është shënuar në afërsi të fshatit Bitinckë të Devollit, ku një mjet ka përplasur për vdekje shtetasin Jani Baci, 41 vjeç, nga fshati Podgori.

Burime nga policia bëjnë të ditur se, viktima ka qenë duke udhëtuar në këmbë dhe është përplasur nga mjeti me targa AA235GH.

Ndërkaq, drejtuesi i mjetit është ndaluar nga policia dhe është duke u marrë në pyetje, për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Makina del nga rruga, humb jetën shoferi
Ngjarja në Tepelenë, shkak shpejtësia e lartë

Një aksident me pasojë vdekjen e drejtuesit të një
automjeti ka ndodhur paraditen e së mërkurës në Tepelenë.

Burime policore lokale bëjnë me dije se 40-vjeçari po ecte me një shpejtësi tej normave të lejueshme dhe kur është ndodhur përpara një kantieri ndërtimi ka devijuar duke dalë nga rruga.

Për pasojë ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme, deklarojnë burimet, të cilat saktësojnë se uniformat blu kanë bërë tashmë mbikëqyrjen e vendit të ngjarjes.

Burimet shtojnë më tej se, nga kontrollet e kryera ka rezultuar se viktima punonte si polic i burgut të Bënçës në Tepelenë dhe në momentin e aksidentit po kthehej nga puna.

Ky është aksidenti i tretë që shoqërohet me viktimë që nga fillimi i javës. Një ditë më parë, një aksident ndodhi në rrugën e vjetër që lidh Durrësin me Tiranën, në Kodër Arapaj.

Drejtuesi i automjetit tip ‘Mercedes Benz’ humbi kontrollin dhe si rezultat u përplas me një shtyllë betoni. Goditja ishte fatale për djalin 12-vjeçar që ndodhej në automjet me të atin, shtetasin Alfred Jusufi, 35 vjeç nga Linza e Tiranës.

Djali gjeti vdekjen, ndërkohë që babai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Shkak i aksidentit ishte humbja e vëmendjes në drejtim.

Ndërsa të hënën një aksident tjetër u verifikua në orët e mëngjesit në qarkun e Shkodrës, ku si pasojë gjetën vdekjen dy persona.

Burime policore lokale njoftuan se viktimat ishin bashkëshortët Hysni dhe Maje Brahimi, të cilët po udhëtonin me një veturë kur u përplasën nga një kamion.

Sipas burimeve, kamioni e goditi automjetin me targë “SH 9726 C” teksa dilte nga një kthesë, duke mos zbatuar kështu parimin e përparësisë.

Për rrjedhojë çifti gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa djali i tyre, 26-vjeçari Dritan Brahimi mbeti i plagosur. Ndërkohë, shoferi i kamionit, shtetasi Skënder Zalli u ndalua nga uniformat blu.

Top Channel