Edi Rama ka sfiduar publikisht Kryeministrin Sali Berisha, i cili i ka
atribuuar atij përdorimin e termit “shpellarë” për të ardhurit nga veriu
i Shqipërisë në Tiranë, fakt të cilin zoti Rama sistematikisht e ka
mohuar ta ketë artikuluar ndonjëherë.

“Nëqoftëse ka në gjithë arkivat e televizioneve apo të radiove, figurë apo zë timin, ku unë të kem përdorur këtë shprehje, unë Edi Rama, sot largohem jo nga politika shqiptare, por nga Shqipëria.Nëse kjo provë nuk ekziston, më lind e drejta t’ju them se të gjithë tropojanëve dhe të ardhurve nga veriu apo vazhdojnë të jetojnë sot në veri, se ky burrë kërkon t’ju mbajë peng në shpellën e mendësisë së tij, duke shfrytëzuar sedrën, traditat, vlerat dhe besnikërinë tuaj”, tha Rama.

Kryetari i PS-së, nga aktiviteti elektoral “Tirana e të gjithëve”, e avancoi më tej planin që ai do të ketë si Kryeministër i vendit për legalizimet.

“Familjet nuk do të paguajnë asnjë qindarkë për legalizimin, nuk është premtim elektoral. Të gjitha shpenzimet e procesit të legalizimit do t’i bëjë shteti. Dhe do të jemi unë pas katër vitesh do të jem përgjegjësi kryesor nëse do të jemi përsëri në këtë gjendje dhe nëse nuk do të shohim dhe nuk do të prekim me dorë ndryshimin radikal në këtë proces”, tha Rama.

Edi Rama ka dhënë shpjegime të detajuara për sistemin e taksimit.

“Taksimin e ndershëm për të gjithë ata që marrin një rrogë do ta fusim në fuqi në 1 janar 2014. Heqjen e taksave dhe atë pjesë të taksave që do të ulen për të gjithë prodhimin bujqësor do ta nisim në 1 janar 2014. Heqjen e taksës së ilaçeve 10 % do ta fusim në 1 janar 2014.Pjesën tjetër që ka të bëjë me taksën 20% për ushqimet bazë do ta fusim në fuqi më 1 janar 2014. Dhe atyre që duan faturën dhe thonë se nuk përballohet, unë po ju them që fatura për të gjitha këto bashkë është e barabartë me gjysmën e parave që iu vidhen shqiptarëve nga nafta”, tha Rama.

Top Channel