Nënë në moshën 56-vjeçare, rekord në Shqipëri

16/05/2013 00:00

Ditën e hënë, më datë 13 maj, një nënë shqiptare ka lindur fëmijën e saj
të parë në moshën 56-vjeçare. Pas disa tentativash për të pasur një
fëmijë, gruaja nga Fushë-Kruja dhe bashkëshorti i saj kanë arritur të
kenë trashëgimtare një vajzë, e cila peshon 2.8 kilogramë.

Nëna 56-vjeçare shënon rekordin e parë në Shqipëri, për sjelljen në jetë të një fëmije në moshë mbi 40 vjeç. Ajo ka lindur nëpërmjet operacionit cezarian. Gruaja ka mbetur shtatzënë nëpërmjet rrugëve për lindje të asistuar, me metodën in vitro, e njohur si “bebe në epruvetë”.

“Jam shumë e lumtur, është një mrekulli, është gjithçka kam dashur më parë. Kam provuar të mbetem shtatzënë edhe herë të tjera po nuk ia kam arritur dot. Shtatzëninë e kam pasur me probleme, por gjithçka ka ndodhur ka qenë një mrekulli. Jam shumë e gëzuar”, tregon N.K, 56-vjeçarja që theu rekordin.

Për të dhe beben e vogël, kujdeset kunata. Ajo e vendos të voglën në krevatin e saj, ndërkohë që 56-vjeçarja na tregon se puna më e rëndësishme për të është kujdesi dhe mirërritja e vajzës.

Doktor Elton Peçi, gjinekologu që ka ndjekur nënën 56-vjeçare na tregon se kujdesi i nënës ka qenë i rrallë, i jashtëzakonshëm. Dashuria me të cilën e ka pritur këtë fëmijë pas kaq shumë vitesh tregohej gjithmonë në çdo konsultë, në çdo takim. Gruaja nga Fushë-Kruja as flokët nuk i ka lyer, regjimin e ka pasur të përditshëm, kujdesi ka qenë i jashtëzakonshëm, ushqimi i balancuar, vetëm e vetëm që fëmija të ishte i shëndetshëm. Nëna pritet të lërë sot dhomën e shtrimit, këto katër ditë ka qëndruar nën kujdesin e të gjithë stafit të mjekëve për shkak të operimit. “Tani jam në asistencë, nuk punoj, kam gjithë kohën për t’u marrë me vajzën, por operacioni ka dhembje, nuk e di pse nënat i kërkojnë fëmijët me operacion”, thotë gruaja e rekordit. Po të kishte pasur mundësi do të kishte bërë lindje natyrale, por në moshën e saj, stafi i mjekëve ka vendosur që lindja të ishte me operacion.

“Në datën 13 maj 2013, ka lindur zonja N. K e lindur në vitin 1957, pra në momentin që flasim është në vitin e 56-të të jetës. Lindja u krye përmes operacionit cezarian. Operacioni përfundoi me sukses, si nëna edhe bebja e sapolindur gëzojnë shëndet të plotë. Kjo është diçka që realizohet vetëm përmes teknikave artificiale të riprodhimit, ose më qartë me anë të fertilizimit in vitro. E gjithë teknika përfshin një punë të koordinuar deri në detajet më të vogla mes gjinekologëve, biologëve dhe personelit infermieror.Sigurisht që paraqesin shumë rreziqe. Dua të theksoj se kemi të bëjmë me subjekte në një moshë të kaluar të cilat në shumicën e rasteve kanë probleme me tensionin arterial, zemrën, diabetin. Këto shtatzëni paraqesin shkallën maksimale të rrezikut obstetrikal dhe klasifikohen si shtatzëni me rrezik të lartë materno-fetal”, tha Elton Peçi, mjeku primar i 56-vjeçares.

Sipas tij, zonja nga Fushë-Kruja duhet vlerësuar në radhë të parë për këmbënguljen e saj.

“Pas 30 vitesh infertilitet, të vazhdosh sërish të kërkosh fëmijën e dëshiruar, qëllimin e jetës, për mua është shembulli maksimal i këmbënguljes. Jo të gjitha çiftet e bëjnë këtë gjë. Shumica për fat të keq dorëzohen. Fillimisht zonja e ka pritur me gëzim të përzier dhe me pak frikë, pasi ky është fertilizimi i dytë i saj në Spitalin Amerikan. Edhe fertilizimi i parë në vitin 2012 rezultoi me sukses për një shtatzëni (binjake!) por që për fat të keq zonja i humbi në javën e shtatë të shtatzënisë.

Për këtë arsye, e ka përjetuar frikën nga aborti në një shkallë më të lartë. Për shkak edhe të problemeve me tensionin arterial, por edhe të faktit që kemi të bëjmë me një shtatzëni me rrezik të lartë, zonja është monitoruar në spitalin tonë çdo javë. Ajo është treguar shumë e përpiktë dhe shumë bashkëpunuese lidhur me rekomandimet tona”, tregon mjeku.

Lindjet në moshën e menopauzës po shtohen nga viti në vit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel