“Zgjidhje pronës dhe legalizimeve”

03/05/2013 00:00

Në komunikimin vijues, me banorët e njësisë numër 7 në kryeqytet, kryesocialisti Edi Rama shpjegoi nga “këndi i fjalës” programin e Partisë Socialiste për çëeshtjen e pronave dhe legalizimeve.

“Ne jemi zotuar për tre gjëra. E para, ne do t’u japim çertifikatën e pronësisë mbi tokën të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët kanë 20 vjet që jetojnë me tokën në fshat dhe s’kanë parë me sy letrën e tokës që u takon… Letër që u është premtuar, sa herë që është dashur vota e tyre në çdo zgjedhje, dhe është harruar, sa herë është dhënë vota e është kthyer kurrizi ndaj tyre. E dyta, ne do t’i japim një prioritet dhe një cilësi të re procesit të legalizimeve, për t’i dhënë fund, qoftë zvarritjeve me legalizimet për dhjetra mijëra, apo qindra mijëra, qoftë edhe vazhdimit të historisë për ndërtimet pa leje. Pas 23 qershorit, zotimi im është, që s’do lejoj të ndërtohet pa leje, as edhe një tullë të vetme në Shqipëri. E treta, do trajtojmë me transparencë, nëpërmjet një komisioni të posaçëm, të gjitha kthimet e kompensimet e pronave, që janë bërë gjithë këto vite në kurriz të pronarëve, dhe do trajtojmë në mënyrë sistematike kthimin e kompensimin ndaj pronarëve realë”, tha Edi Rama.

Lideri i Partisë Socialiste nuk la pa komentuar edhe zhvillimet në Këshillin Bashkiak të Tiranës, teksa drejtuesit e Bashkisë kishin ndryshuar edhe bravat e dyerve për të mos lejuar zhvillimin e mbledhjes.

“Ajo që ka ndodhur sot me Këshillin Bashkiak, ai ndërrimi i bravës dhe trajtimi i institucionit qendror të qeverisjes vendore të Tiranës, si të ishte shtëpi private, është shëmbëlltyra e asaj, që kanë si koncept këta për shtetin. Saliu mund të dojë të ndërrojë bravën edhe në 23 qershor, por s’ka problem, do ia japin bravën e vjetër ta mbajë kujtim”, përfundoi Rama.

Top Channel