Një javë më parë, Partia Socialiste doli me një ofertë konkrete për aleatët e saj, një platformë e bashkëpunimit elektoral dhe paszgjedhor.

Në mikrofonat e “Top-Channel”, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, tha se në platformë parashikohet bashkëpunim lokal mes PS dhe partisë së koalicionit nëse kjo e fundit merr nga 500 deri në 1000 vota në rang qarku dhe bashkëpunim në nivel qendror të pushtetit nga 5 mijë deri në 10 mijë vota.

Milo tha se platforma lë të hapur derën për çdo parti tjetër që dëshiron të bashkëpunojë në zgjedhjet e ardhshme me koalicionin opozitar, ndërsa mohoi se në takim është diskutuar për të ftuar ose jo LSI-në që të bëhet pjesë e këtij blloku.

“Nuk pati asnjë përmendje të LSI-së dhe të asnjë partie tjetër politike jashtë koalicionit tonë. Gjithçka u diskutua ka qenë thjeshtë mënyra e ndërtimit të koalicionit tonë. Koalicion është me 31 parti politike dhe po zgjerohet, po forcohet dhe që sot mund të them që është koalicioni i fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, mbylli fjalën e tij zoti Milo.

Pikërisht për të debatuar mbi koalicionin, i cili duket se do të jetë në themel të zgjedhjeve dhe për kushtet e PS-së, vendosur aleatëve të majtë, Rudina Xhunga ftoi në emisionin e saj, në “Shqip”, një panel ekspertësh dhe politikanësh, të përfshirë direkt në këtë çështje.

I pari që mori fjalën, Ndre Legisi, koordinator i Partisë Socialiste, u vendos përballë kryetarit të Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, politologut Henri Çeli dhe analistit Lutfi Dervishi.

“Partia Socialiste është partia e parë që shprehu një respekt të veçantë për aleatët dhe aleancat në pushtetin e 1997-s e më vonë. PS lëshoi atëherë pushtet për të bërë shtet. Ne kemi një përvojë të konsoliduar lidhur me aleancat, kemi respekt për aleatët dhe ato që janë shkruar në atë marrëveshje do të jenë absolutisht të zbatueshme e të respektuara nga ana e partisë sonë”, nisi debatin Legisi.

Megjithatë, i pyetur për listat e deputetëve dhe vendin ku do të kandidohet ai, Legisi u shpreh: “Nuk ka rëndësi ku do të jem unë si deputet, ky është një diskutim i pafrytshëm, që nuk sjell ndonjë produkt të madh për Partinë Socialiste dhe nuk ka as interes, besoj, për opinionin publik”.

Mbi raportin me projektmarrëveshjen, Gjinushi tha: “Kjo rregullon taktikën elektorale, e ka rëndësi pasi 30 parti, 31 apo 33 do të jenë së bashku, duke korrigjuar një nga gabimet e mëdha taknike të 2009-s, kur nuk u vlerësuan aleancat e tjera. Aleancat varen nga frymat dhe është ajo frymë që tregon që je i hapur e vlerëson çdo faktor, e më pas do të shihet në mënyrën e bashkëpunimit. Kështu hidhen bazat për një grupim të madh, me bërthamë opozitën e të majtën, për të bërë të gjithë të interesuar”.

“Prandaj 500 vota mund të duken pak, por shumë më pak mund të jenë përcaktuese për zgjedhjet, ndaj edhe partitë e kategorisë së tretë apo të katërt, kanë një stimul të bëhen pjesë e grupit e të marrin pjesën e vetë të përgjegjësisë në raport me votën. Për të thënë gjërat hapur, ky sistem ka një problem që mund të marresh edhe 40 mijë vota e aksidentalisht partia jote të mos kapë asnjë deputet, prej moskapjes së minimumit të domosdoshëm që ke në çdo qark. Pikërisht, në këtë moment pakënaqësia është problemi i individëve, që thonë ky është bashkëpunim partiak, por a do të jem unë? Kjo do të jetë faza e dytë e bashkëpunimit, këto janë zgjedhje ku hyjmë së bashku, kjo vendoset në një fazë tjetër dhe mbetet e hapur përgjatë ditëve për t’u vlerësuar. Kryesorja është që në këtë moment ka një platformë politike për bashkëqeverisje”, shtoi Gjinushi.

Në marrjen e fjalës, politologu Çili evidentoi sipas tij, tre pika madhore problematike të ofertës së socialistëve, drejtuar aleatëve. “Është rasti të themi 2-3 gjëra paraprake. Opozita po luan taktikisht më mirë se në 2009, kur u gjetën edhe të papërgatitur për sistemin politik e kishte shumë delir politik, mishëruar tek qëndrimi i zotit Rama. Ky ndryshim është pozitiv dhe kjo është në dobi publike, pasi kemi një përfshirje më të rëndësishme të më shumë faktorëve shoqërore e politike. Megjithatë, në këtë listë kaq të gjatë partish, nuk shoh pikën e garancisë. Partia Socialiste zotohet që do të numërojë korrekt votat e aleatëve, ashtu është zotuar verbalisht në 2009, tani me shkrim, por nuk ka ndonjë mekanizëm të ri të garantuar, që partitë e vogla t’i imponohen partive të mëdha. E dyta, të dhënat e detajet e kësaj marrëveshje, për mua bëjnë një paralajmërim të frikshëm dhe kundër interesit publik, në lidhje me paqëndrueshmërinë e administratës publike në Shqipëri. Lajmërohet në shkallë të gjerë një copëtim i votave, gjithashtu i vendeve të punës. Mos harrojmë që drejtorët kanë meselenë mbrapa, drejtori ka specialistët e vet, etj, etj. Shpresoj që kjo është një pikë që opozita ta rishohë. Elementi i tretë, ky koalicion, ende nuk zgjidh dot stragjikisht, ndonjë gjë të rëndësishme për shoqërinë shqiptare që të bëhemi vërtet të interesuar për ta vituar. Gjykoj se opozita dështoi për ta konsideruar palën tjetër si regjim e nuk ka mundur të bindë forca të qëndrës së djathtë, si FRD, apo zotin Dule, që është larguar si një forcë centriste. Unë shoh një projekt më të kolauduar, por vetëm kaq”.

Përgjigjen për shqetësimet e ngritura nga zoti Çili e dha koordinatori i PS-së për marrëdhëniet me aleatët. Zoti Legisi saktësoi: “Përsa i përket garancive. E para, diskutimi lidhur me garancinë për votën u zhvillua në tryezë dhe për shkak të kodit u arrit në përfundimin se subjektet që kanë pretendime apo merak për cënimin e votës, në zona të caktuara, nëpërmjet negocimit që do të zhvillohet me PS-në e partitë e tjera, do të mund të përfaqësohen me vëzhgues të tyre, diçka e miratuar prej tyre. Tjetër është dëshira dhe tjetër ligji. Ligji thotë që ka përcaktuar se këto janë rregullat e lojës e ne nuk dalim dot mbi ligjin. Në qoftë se do të resprktojmë ligjin, këto kushte krijohen, pastaj nëse s’duam të kuptohemi, kjo do të jetë jë çështje tjetër”.

“Mbi të dhënat për administratën, biem dakord që ndërkohë është shpartalluar, pro në ndarjen e vendeve nuk kuptojmë vendet e zakonshme të administratës, por bëhet fjalë për funksionet politike që ka në çdo administratë të çdo vendi të botës, si 36 zëvendësministrat që nuk dinë as zyrat ku i kanë, për të kënaqur parti anonime. Edhe këtë s’do e bëjmë, kaq vota sa ka dhënë populli, aq do të marrë ndikim çdo parti. Saliu ka ndarë pushtetin me përqënidje, ndërsa ne mbi bazën e forcës së çdo partie. Strategjia e Partisë Socialistë është pranuar dhe mbështetur nga aleatët, që përkrahin programin e reformave, që tashmë janë bërë kudo të njohura në Shqipëri”.

Duke analizuar problematikën e aleancave, Dervishi tha: “Së parti, dua të them që dy partitë e mëdha po vuajnë kodin, që u bë për t’i lënë jashtë të vegjlit, por duket se pas asaj që ndodhi jme LSI-në në 2009-n, tashmë të gjithë duan të shmangin një mundësi të tillë, duke e bërë pjesë të koalicionti të tyre. Ajo që më bëri përshtypje ka të bëjë me shprejen që PS, që do të numërojë votat e aleatëve me korrektësi. Këtu ngrihet pikëpyetje, pasi çdo votë e shqiptarëve duhet të numërohet, jo vetëm ajo e aleatëve. E dyta, është e vërtetë që sistemi i tillë, me kaq vota marrin ose gërryejnë mandate, ndaj të gjithë duan të maksimizojnë frutet elektorale, por për mua ka diçka që nuk shkon, pasi përvec 4-5 partive që kanë kapacitete shtetformuese dhe intelektuale, 27 partitë e tjera, kanë kryetarë partie pa punë dhe kryetarë që dikur e mbanin partinë për ndonjë kartiviztë apo një vizë. Po të kishin vlera edhe të sprovuara, duhet t’i kishin shfaqur tashmë. Paradoksi, ke një ekip të Superiores, që do të marrë edhe lojtarë amatorë në skuadër në këto zgjedhje”.

Përballë kritikave të Çilit e Dervishit, në mbrojtje të ofertës doli zoti Gjinushi: “Përsa i takon votës, në Shqipëri duhet mbrojtur vota, pasi ajo është realisht e kërcënuar. Kjo është ajo që Shqipëria duhet të garantonte tashmë, por ja që nuk e kemi arritur këtë standart. Vjedhja e parë është ajo e pushtetit, pasi deformon vullnetin e popullit, si kalimi nga një grup në një tjetër. Prandaj, opozita është e angazhuar që të bëjë një mbrojtje sa më të mirë të votës dhe në këtë kuadër, patjetër që flet për votat e veta, pasi duke mbrojtur opozitën, e ke mbrojtur edhe votën e popullit, pasi pushteti pa dyshim që ka dorën më të rëndë, duke vjedhur vota e mandate edhe pas zgjedhjeve. Patjetër që ka pasur në 2009-n edhe rrëshqitje vote brenda llojit, këtë e kemi pranuar. Nuk ishte vetëm kodi, por mënyra se si u servir kodi, ku vota e të vegjëlve u tha nuk duhet, që u transmetua kudo dhe komisionerët socialistë, le të themi e patën bezdi të numërojnë të tjerët. E kështu ka ndodhur kjo rrjedhje e rrëshqitje vote. Sa i takon administratës, masakra që ka bërë kjo qeveri në administratë, nuk është se ndau 8 me 2 me LSI-në, nuk ka rëndësi në i ka 100 PD apo heq 80 me 20, por me çfarë kriteri i bën këto zëvendësimi, si ringre administratën e re dhe jo sa peshë i takon aleatëve”.

Në pjesën e dytë të “Shqip” i ftuar ishte kryetari i PSV ’91, Petro Koçi. Zoti Koçi foli për propozimin e PS-së për koalicionin parazgjedhor duke e vlerësuar atë. Ai tha se koalicioni imponohet nga sistemi zgjedhor, për të cilin shprehu edhe njëherë tjetër qendrimin kundër të tij dhe të partisë së tij. Kreu i PSV ’91 tha se PS, ndryshe nga zgjedhjet e 2009 është rikthyer në identitet si një parti e majtë, parti sociale.

“Rama i ka konsideruar gabim ndryshimet e 2008-ës. Ka dëshmuar se disa nga zhvillimet politike që ka administruar në PS kanë qenë në rrugën e duhur. Kemi një retorikë ndryshe sot në PS, një program qeverisës ndryshe. Në 2009 kishim një perceptim që PS nuk është ishte as majtas as djathtas, tani ka një program qartazi social, majtas. PS është bërë gjeneratore e një tryeze kaq të gjërë me pjesëmarrje kaq të madhe partish politike dhe kjo tregon që kemi një parti ndryshe tashmë. Duhet kuptuar që me këtë sistem politik dhe sistem zgjedhor alternativat janë të pakta”, tha zoti Koçi.

Koçi la të hapur mundësinë e ribashkimit me PS-në: “Qëkur ndërmorëm projektin e PSV ‘91 e kemi ndjerë veten pjesë të socialistëve. Ato zhvillime na ndihmuan. Rruga e bashkimit është gjithnjë më afër. Mendoj që këto ndryshime që ka ndërmarrë PS, sidomos në 2 vitet e fundit janë pozitive”, tha ai.

Lidhur me demokracinë e brendshme brenda partive politike shqiptare, zoti Koçi dekaroi se ky është një problem i madh i demokracisë sonë. Mënyra se si drejton partinë, tha ai, reflektohet në mënyrën se si do drejtosh qeverinë.

Edhe kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi kritikoi ndryshimet kushtetuese, vecanërisht atyre për zgjedhjen e presidentit. “Kushtetuta duhet kthyer atje ku ishte dhe presidenti është jo i ligjshëm. Presidenti është shtylla e balancës sepse ne s’kemi Senat. Tani o do të zgjedhim president me 3/5 ose institucione me 3/5. Në defekt të Kodit Zgjedhor, ne kërkojmë kompensim që mund të rregullohet me taktika parazgjedhore ose paszgjedhore”, tha zoti Gjinushi.

“Shqip” iu bashkua edhe Gjergj Koja, kryetar i Partisë Socialiste të Moderuar, edhe kjo forcë politike e bashkuar tryezës së opozitës për koalicionin parazgjedhor. Zoti Koja vlerësoi propozimin e PS-së duke e quajtur atë konkret, ndërsa shprehu besimin e tij se koalicioni aktual ka mbështetjen e nevojshme në popull për të krijuar shumicë pa i shtrirë dorën askujt, pa pazare politike, sic i quajti ai.

Top Channel