“Top-Story”: Kë duhet të votojnë shqiptarët?

14/03/2013 00:00

Tre muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit, në 100 ditët e fundit të fushatës, debati i ndërsjelltë politik bëhet gjithmonë e më i ashpër.

Opozita, e bazuar fort në programin e saj të “Rilindjes Kombëtare”, bën një apel të përditshëm për një ndryshim rrënjësor dhe reformim të vendit pas zgjedhjeve.

Sipas socialistëve, gjendja aktuale e vendit është më delikate dhe e mjeruar se kurrë në dekadën e fundit, ndërsa një mandat i ri për mazhorancën sot në pushtet, do të sillte një katastrofë të vërtetë mbi vendin.

Nga ana e tyre, demokratët shohin gjendjen e vendit në një prizëm tjetër, duke rreshtuar një seri arritjesh, të cilat duhet të konkretizohen dhe shpërblehen në mandatin e tyre të tretë.

Në këto kushte, Sokol Balla, në emisionin e tij “Top-Story”, shtroi një pyetje të thjeshtë: “Kë duhet të votojnë shqiptarët”.

Për të dhënë një përgjigje, në studio ishin të pranishëm dy ministra, ai i Bujqësisë, Genci Ruli dhe ajo e Integrimit, Majlinda Bregu, të vendosur përballë dy prej figurave me më shumë ndikim brenda opozitës, zonjës Mimi Kodheli dhe zotit Erjon Veliaj.

E para në studio, socialistja Kodheli, bëri një parashtrim të zymtë të situatës që po përjeton sot vendi ynë. “Ky është një moment historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm sepse Shqipëria është futur në një rrugë integrimi si anëtare e NATO-s, por sepse Shqipëria nuk është atje ku duhet të ishte pas 22 vitesh demokraci dhe pas tetë vitesh qeverisje të Partisë Demokratike”.

”Besoj se ndaj të njëjtin opinion me shumicën e teleshikuesve, pasi ka shumë të dhëna, jo domosdoshmërisht të opozitës, por zyrtare, që drejtojnë që sjemi ku duhet të jemi me borxhin, monopolet, ambientin, papunësinë, rritjen ekonomike, shtetin e së drejtës, demokracinë, rendin dhe shumë të tjera”, vazhdoi Kodheli.

”Kjo ka qenë një shtysë shumë e mirë për ne, që jemi mbledhur për të hartuar një program, ndonëse jo për herë të parë. Shqipëria është sot në ditën më të keqe përsa i përket varfërisë, papunësisë. Në një ditë shumë të keqe për financat publike, tregjet e punës, energjisë dhe të prodhimit, në gjendjen më të keqe të produktit shqiptar që duhet të dalë të konkurrojë jo në tregun botëror e europian, por as rajonal. Dita më e keqe përsa i përket aksidenteve, krimit dhe sistemit të drejtësisë, standarteve të ushqimit, barnareve, edukimin, ngrohjen, asistencën shëndetësore, të gjitha këto e bëjnë shumë serioz impenjimin tonë në programin tonë për një Rilindje Shqiptare. E bëjnë shumë serioz edhe impenjimin për zgjedhje të drejta dhe të ndershme, edhe pse këtu roli kryesor duhet luajtur nga qeveria. Dhe duke mos dashur ta ekzagjeroj, them se shpresoj shumë që në 23 qershor, të mos e gjejmë financat dhe vendin në një situatë të njëjtë me të Greqisë, pasi realisht po shkojmë drejt kësaj rruge”.

Në marrjen e fjalës, ministri Ruli zhvlerësoi hyrjen e gjatë të Kodhelit, duke konsideruar të dhënat e saj si të sajuara dhe këtë panoramë të paqenë. “Sigurisht, ndaj vetëm fillimin e frazës me kolegen dhe rivalen politike, që Shqipëria është në një moment historik. Por, për arsye krejtësisht të ndryshme”, tha Ruli.

”Ne themi që është një moment historik pasi Shqipëria është një vend që po bën progres të madh drejt një shine të përcaktuar, që është procesi i integrimit, një proces ndaj të cilit mund të kishim avancuar shumë më tepër pa bojkotin 2-vjeçar të opozitës, e cila si forcë madhore politike ka një rol që duhet të ushtrojë në Parlament. Në qeverisjen tonë, Shqipëria ka njohur vetëm progres konkret në të gjitha fushat, që duhen përmendur, në një kohë kur gjithë Europa dhe Ballkani është tronditur nga rrjedhojat e krizës globale”.

Sipas ministrit Ruli, i gjithë ky përceptim i opozitës për këtë situatë, vjen si rrjedhojë e humbjes së afërt që po vjen në zgjedhje. “Në retorikën e opozitës, shoh ankthin për humbjen që po i vjen, nuk e shoh kurajoze, por në asnjë moment, në asnjë moment gjatë këtij mandate nuk e vërtetuan që u është vjedhur vota. Tej batutës që na kanë shtreruar idetë dhe energjitë, unë them se PD nuk matet sot dhe vetëm sot me PS-në, ka një matje që nis nga viti 1991. PD është një parti e dinamizmit maksimal për arsye sepse i ka rastisur për rolin historik të jetë prezente në momentin e transformimeve më të mëdha në Shqipëri, që nga viti 1991, kur pati edhe vizionin e kurajon për të bërë ndryshimin”.

Konstatimet e zotit Ruli, u luftuan me shifra nga koordinatori i PS-së për rininë dhe emogracionin, Erjon Veliaj. “”Nuk e vë në dyshim që anija qeverisë është në formë, por barkat e njerëzve jo. Realiteti ku jetojnë barkat e njerëzve që llokoçiten në këtë avaz nuk është një ralitet i bukur, por le të bëjmë një bazë krahasuese, ku e lamë dhe ku e gjejmë Shqipërinë. Unë po ju them vetëm disa shifra. Buka në 2005-n ishte 50 lekë, sot 80. Orizi 80 lekë, sot 140. Sheqeri 80, e lanë 140. 50 lekë mielli, 90 lekë. Vaji 150, e lanë 240. Kilovati i energjisë 50 lekë, e lanë 90. Rritja 5,5%,, sot jo më shumë se 1%. Borxhin publik për çdo shqiptar e gjetën 1 500 dollarë për shqiptar, sot 3 mijë dollarë për shqiptar. Shpenzimet vjetore për borxhin e gjetëm: 400$, 800$ tani. Analfabetizmi sipas UNICEF e gjetën 10%, tani 15%. 6 mijë lekë ishte eko për një grua shtatzanë, sot 15”.

”E lanë më keq se e gjetën dhe madje më keq duke iu referuar edhe shifrave të INSTAT-it, që është në varësinë e Kryeministrit dhe për të cilin ne kemi shprehur shpesh herë dyshimet tona më të thella”, vazhdoi Veliaj. “Sipas INSTAT-it, kreditë me probleme në vitin 2003 ishin 3%, sot janë 23%. Për ju mund të jetë statistikë, por këta njerëz sot po humbasin shtëpitë, bizneset, pronat, etj. 25% e kredive me probleme është dramatike”.

”Sipas INSTAT-it, 11 mijë vende janë ulur në një vit, kur kryeministri thotë se punësimi vetëm është rritur”, theksoi Veliaj. “Njerëzit janë këtu dhe e dinë që nuk janë krijuar vende pune. Në 2007-n, 70% e vlerës së tatimit mbi fitimin e mbanin koorportat. Ne s’jemi kundër biznesit, por mbasi u fiuqizuan tetë vjet, tani duhet të çojmë të fuqizohet populli, sepse edhe për biznesin është mirë, ndryshe çfarë do të blejnë njerëzit. E fundit, e thotë Eurostati, në statistikën për varfërinë në Shqipëri, në 1910-n, 100 vjet më parë, 25% e shqiptarëve ishin të varfër, sot janë 31%. Ne kemi dy vjet që ftojmë PD-në për të diskutuar me programe, por askush nuk e ka marrë mundimin për ta bërë diçka të tillë”.

Me doza të qarta ironie, ministrja Bregu konsideroi qesharake akuzat e socialistëve dhe lëshoi akuza të forta ndaj programit të tyrë të “Rilindjes”. “Këto fjalët e Veliajt janë përrallë e ndërtuar natyën, e thënë ditën. Unë e kam lexuar programin, vështirë të them se kam kuptuar ndonjë gjë. Një tekst me fjalë dhe pa substancë, një sallatë me shumë elementë kur nuk thuhet asgjë se si do të realizohet, por ka vetëm prezantimin e një depresioni të madh, që ka thelbnin në dhembjen e kapluar të PS, me tendencën e theksuar të një humbje tjetër të kryetarit, po përpiqen ta manifestojnë”.

”Kalojmë tani nga shifrat e Veliajt, tek shporta bazike, që janë mallrat e domosdoshme për jetesë dhe tek shporta më e zgjeruar. “Është e vërtetë që orizi ka njohur rritje, por më lejoni t’iu them që në 2005-n e gjetëm rrogën minimale 110 mijë të vjetra, sot është 220 mijë lekë. Paga mesatare buxhetore ishte 27 mijë, sot është 58 mijë. Në sistemin buxhetor, numri i punonjësve sot është 87 mijë. Në 2005-n, punonjësit ishin 110 njerëz ose 25% më shumë, që do të thotë që shfrytëzonin dhe përdornin më shumë nga shpenzimet operative. Ju tregoj një tabelë tjetër që ka të bëjë me rritjen e produkteve dhe çmimeve. Është e vërtetë që me pagën e atëhershme, mallrat e shportës blinin 53 kg në 2005, ndërsa në 2013 sot, me rrogën që merr një mësues ose mjek, ata kanë mundësi të blejnë 3-4 herë më shumë sot”.

Për zonjën Bregu, “Papunësia ka rënë 1%, në këto tetë vjet. Nëse dëgjojmë shifra të përgatituera në dhomën e PS, shifra që s’janë shifra të institucioneve, kjo është një propagandë e dështuar. Sot forca e punës është 1,4 mln, nëse zbret 13,3% del numri i papunësve që jo një milionë që nuk është, por 186 mijë. Morali me të cilin kërkojmë mandatin e tretë është ai me të cilin kemi realizuar premtimet tona, PD është një forcë e sprovuar, jo vetëm që ka plotësuar atë që i ka premtuar qytetarëve, por po vazhdon dhe prandaj s’kemi copa letrash në një libër të lidhur e të quajtur program”.

Deputetja e PS-së Mimi Kodheli u ndal tek premtimet e bëra nga mazhoranca aktuale në fushatën elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme paralamentare të 2009-ës.

“Në 2009 premtuan uljen e borxhit publik në 50 përqind, sot është 63.8 përqind, premtuan uljen e TVHS nga 20 në 17 përqind, uljen e energjisë elektrike, premtuan TVSH zero për barnat dhe shërbimet mjekësore, në 2008 u vu 10 përqind, ne propozuam heqjen e kësaj, këta e rrëzuan”, tha zonja Kodheli.

Më tej ajo u ndal tek infrastruktura dhe punësimi, dy sektorë ku edhe këtu sipas përfaqësueses socialsite, PD nuk ka mbajtur premtimet e bujshme.

“U premtua përfundimi i Rrugës së Arbërit, rruga Levan-Vlorë, Tiranë-Elbasan, Boshtin e Jugut në trajektoren Kuçove-Belsh, Shkodër-Vlorë autostradë me dy korsi. U premtua karburanti për fermerët 40 lek litri, sot taksa që gjithkush paguan është 80 lekë për litër. Sot kemi 700 mijë të papunë në qytet,  këta pretendojnë se në sektorin e bujqësisë janë të punësuar, por kemi mbi 280 mijë të papunë atjë. Pra 1mln ta papunë janë 1 mln të pasiguruar”, tha zonja Kodheli duke u ndalur më pas tek shëndetësia dhe arsimi dy sektore që sipas saj janë në gjendje të mjerueshme.

Taksa progresive dhe taksa e sheshtë. Debati mes dy përfaqësuesve të mazhorancës dhe dy të opozitës të vendosur përballë njëri-tjetrit, u zhvendos për një nga pikat më të nxehta të këtij debati elektoral, sic është ajo për sistemin e taksimit.

Duke mbrojtur modelin e taksës progresive, përfaqësuesi socialist, Erjon Veliaj tha se sistemi i ri do të lehtësojë barrën fiskale për njerëzit me paga të ulta, ndërsa rritje të pagës do të ketë për zyrtarët dhe personat me paga të larta.

Veliaj foli edhe për heqjen e taksës ndaj biznesit të vogël, taksë që sipas tij është krejt e padobishme për buxhetin e shtetit dhe nuk e barros atë. Sipas tij, heqja e kësaj takse rrit punësimin. Por ministri Ruli kundërshtoi pretendimet e zotit Veliaj dhe e quajti heqjen e taksës për biznesin e vogël një marrëzi fiskale që do të pasonte, sipas tij, efekte zinxhir që do t’i kushtonin arkës së shtetit mesatarisht 80 milion euro në vit.

Temë e diskutimit ishte edhe propozimi i bërë nga kryeministri Berisha për të ulur moshën e personave me të drejtë vote nga 18 në 16 vjeç. Propozimi u mbrojt nga Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ndërsa pro tij u shpreh edhe Erjon Veliaj.
 

Top Channel