Lirohet Roshi, arrestimi i paligjshëm

12/03/2013 00:00

Gjykata e Kavajës liroi kryebashkiakun e këtij qyteti, Elvis Roshi dhe e vlerësoi të paligjshëm arrestimin në flagrancë të tij, pas incidentit me trajnerin e klubit të Tiranës dy ditë më parë, në pushimin e ndeshjes së Superligës, Besa-Tirana.

Arrestimi, ku u përfshinë edhe forcat speciale të policisë, u vlerësua si një akt në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut.

“Trupi gjykues vendosi: vlerësimin e paligjshëm të arrestimit flagrant për personin Elvis Roshi dhe rrëzimin e kërkesës së prokurorit për paraqitjen e personit në hetim në komisariatin e policisë, si të pabazuar në ligj”, deklaroi gjyqtari i çështjes.

Pas daljes nga ambientet e gjykatës, kryebashkiaku Roshi ka përfunduar proçedurën e lirimit në komisariatin e policisë dhe pa dashur të bëjë komente mbi zhvillimet e dy ditëve te fundit u shpreh i kënaqur që drejtësia u vendos dhe se që nga mërkura do të vijojë punën normalisht në shërbim të qytetarëve.

“Shumë faleminderit qytetarëve të Kavajës që më mbështetën normalisht. Nesër do të kthehem në punë rregullisht në mbështetje të komunitetit”, deklaroi Roshi.

Jashtë kameras Roshi dhe mbështetësit e afërt të tij deklaruan se ishte një arrestim politik, që do të marrë një tjetër përgjigje me votë më 23 qershor.

Arrestimi në flagrancë i kryetarit Elvis Roshi duket se eshtë kthyer në një bumerang, mijëra qytetarë kavajas kanë ndjekur me ankth seancën gjyqësore dhe kanë pritur me entuziazëm dhe fishekzjarre vendimin.

Seanca gjyqësore për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurisë personale është zhvilluar nën masa të larta sigurie, me praninë edhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Prokurori i çështjes kërkoi vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe masën “detyrim paraqitjeje” për kryebashkiakun, nën akuzat e goditjes për shkak të detyrës dhe kanosjes në bashkëpunim.

Ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin e menjëhershëm të tij dhe paligjshmërinë e arrestit në flagrancë, si një akt qesharak ndaj një të zgjedhuri me votë.

Roshi: Hakmarrje e Berishës për humbjen e Kavajës

Më pas Roshi ka bërë një deklaratë për mediat, ku ka shprehur qëndrimin e tij ndaj arrestimit, veprim që sipas tij është inskenuar nga kryeministri Berisha për faktin se, më 8 maj 2011 qyteti i Kavajës e përzuri PD-në me anë të votës:

“Në radhë të parë i kërkoj ndjesë gjithë atyre qytetarëve shqiptarë që u shqetësuan nga kjo ngjarje e zmadhuar qëllimisht, ku unë u vendosa në qendër të vëmendjes publike pa dëshirën time. Së dyti, i kërkoj ndjesë të gjithë qytetarëve të Kavajës për përgojimin e jashtëzakonshëm të emrit tim, si i zgjedhur me votën e tyre.

Unë nuk kam ushtruar asnjë lloj dhune mbi trajnerin e Tiranës, për të cilin kam pasur dhe do të kem respekt si ish-futbollist i shkëlqyer i kombëtares dhe si përfaqësues i një skuadre mike në Kavajë. Kam zbritur poshtë për të qetësuar gjakrat e ndezur nga një gjest i nxituar i trajnerit të Tiranës dhe nuk kam pasur asnjë lloj arsye tjetër.

Por megjithatë, nuk ndjehem mirë që i dhash sebep sado të vogël atyre që nuk i zë gjumi që nga 8 maji 2011, nga dëshira për të më bërë keq. Konkretisht Sali Berishës, i cili përmes Flamur Nokës dhe Agron Kulicajt ka organizuar forca të tëra survejimi e provokimi ndaj meje.

Është e qartë që Sali Berisha nuk e gëlltit dot faktin që Kavaja e përzuri me votë në 8 maj, pas 20 vjetësh premtimesh të pambajtura. Ai kërkon të hakmerret me çdo kusht me Kavajën, por në fakt ai me Kavajën nuk lahet gjithë jetën. Ka marrë votat për 20 vjet me radhë dhe madje ka premtuar edhe sjelljen e detit në Kavajë.

Ndërsa unë i premtoj se më 23 qershor Kavaja do të fusë në hesapin e ndëshkimit me vote edhe burgosjen time kriminale, që kishte vetëm qëllim politik. Në 23 qershor Sali Berisha do të mësojë përfundimisht se Kavaja nuk harron asgjë dhe se nga Kavaja ai dhe dhe PD-ja nuk kanë çfarë të marrin, përveç ndëshkimit të merituar për 20 vjet tallje dhe poshtërime”, ka deklaruar Roshi.

Top Channel